Në ditët e sotme, interneti po përdoret gjerësisht për rekrutimin e të miturve në lojra të rrezikshme që shpesh kanë çuar në zhdukjen e fëmijëve apo në shkaktimin e vetëvrasjeve. Rasti më i përfolur, është loja e “Balenës Blu”, ku në Shqipëri ka patur vetëm disa raste lëndimi të fëmijëve.

Kërcënimi më i madh nga ky fenomen është për të ardhmen e vendit, fëmijët… Të miturit, në mungesë të barrierave mbrojtëse, navigojnë në çdo faqe të mundshme që i ekspozon ndaj rreziqeve si pedofilia, bullizmi, pornografia dhe lojrat e rrezikshme.

Sindi është një gjimnaziste e cila si shumica e bashkëmoshatarëve të saj sot, e ka internetin pjesë të pandarë të ditës së saj.

“Kaloj 2-3 orë në ditë në internet ndoshta dhe më shumë”, tregon Sindi.

Por, navigimi në internet ka edhe rreziqet e veta, të cilat e reja i ka vuajtur edhe vetë, si shumë bashkëmoshatare të saj.

“Ndodh shpesh nga njerëz të ndryshëm që ne nuk i njohim, ngacmime të tipit që “je shumë e bukur”, nga persona që janë shumë më të mëdhenj se unë që më duket e papërshtatshme, kanë këmbëngulur, më kanë çuar disa mesazhe në momentin ku unë nuk i kam kthyer përgjigjje ose që i kam injoruar”, rrëfen Sindi.

E shokuar përballë insistimit të këtyre personave misteriozë, adoleshentja jep shembullin se si ka arritur t’i shpëtojë abuzimit: “Ia kam raportuar prindërve dhe nga ta unë jam bërë më e fortë që të përballoj komentet negative”.

Historia e Sindit është vetëm një prej rasteve që janë masive çdo ditë në rrjetet sociale dhe faqe të ndryshme. Adoleshentja na tregon raste të tjera të rënda të bashkëmoshatareve të saj: “Ka pasur raste ngacmime edhe më serioze. Ato kanë folur për një periudhë të caktuar dhe kur janë takuar kanë qenë në një moshë shumë më të madhe. Ose thjesht ngacmime që në momentin kur nuk i kthen komplimentin që të bën, kalon në ofendime. Të ofendojnë nëpër faqe të ndryshme, profile të ndryshme”.

Anketat e realizuara tek të rinjtë tregojnë situatën alarmante të abuzimeve seksuale “online”.

“Vitet e fundit ka pasur shtim të raportimeve, pasi edhe përdorimi i internetit është masivizuar”, tha Mergit Vataj, drejtor “Alo 116”.

“Janë problematike në fakt, ka shumë raste të tilla, një pjesë nuk raportohen fare se janë gjëra që dhe mbyllen, për shkak se preket dhe privatësia dhe dikush do të ruajë anonimitetin”, tha Elton Kërluku, ish-shef policie.

Sot, janë disa programe konkrete përmes të cilave, prindërit mund të monitorojnë në çdo kohë faqet që fëmija akseson, mesazhet dhe gjithçka tjetër.

“Ka programe të ngritura në sistemet e kompjuterimit përkatës, si Google në Android, të cilat i japin mundësi prindërit të ndajë telefonin e tij me fëmijën, duke i lejuar atij të ketë një akses i cili i përshtatet, por pastaj është pak problem ligjor nëse jemi të lejuar apo jo, sepse ata në fund të fundit janë programe përgjimi”, tha Ergest Nako, ekspert i sigurisë së informacionit.

Shumë fëmijë marrin mesazhe ofenduese, etiketohen, fyhen nga persona që kontrollojnë llogari të ndryshme në rrjetet sociale. Sindi na tregon disa prej mesazheve të shumta që ajo ka marrë në Instagram nga persona të ndryshëm.

“Ngacmime në lidhje me pamjen, bëjnë komente, japin mendime që ndonjëherë janë të tepërta. Por, ndonjëherë dhe ofendime në lidhje me pamjen apo me trupin”, tregon Sindi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA