Top Story tregon dhe një metodë të sofistikuar që piratët e kibernetikës aplikojnë masivisht për vjedhjen e llogarive bankare. Bëhet fjalë për sulme që thuajse nuk lënë prova krimi. Miliona llogari bankare vidhen çdo vit duke përdorur kartat e klonuara.
Klonimi i kartave kërkon një pajisje të quajtur “Skimmer”. Ajo është lexues i kartave dhe vendoset nëpër bankomate nga hakerat për të vjedhur të dhënat.
“Vendosin pajisjen në vendin ku vendoset karta në bankomate, aty lexohen të dhënat dhe krijohen kartat e klonuara më pas”, thotë eksperti i sigurisë së informacionit.
Ka një mënyrë për të parandaluar klonimin e kartës tonë bankare dhe kjo kontrollohet sa herë e përdorim.
“Janë disa pajisje që kontrollojnë bankomatet. Kanë një dritë që pulson bankomatet, nëse nuk pulson, kujdes se mund të ketë pajisje që vjedh të dhënat”, tha eksperti.
Kartat e klonuara mund të përdoren jo vetëm për të tërhequr para “cash”, por edhe për të bërë blerje.
Sot, bankat kanë ngritur platforma “online”, nga ku klientët mund të kryejnë veprime të ndryshme nga kompjuterat apo telefonat e tyre. E-banking ka thjeshtuar gjërat për qytetarët duke i kursyer kohë pritjeje nëpër sportelet e bankave, për veprime që lidhen me transaksione monetare. Por, as kjo platformë nuk bën përjashtim nga rreziku që vjen nga piratët e kibernetikës.
“Nuk ekzistojnë aplikacione 100% të sigurta”, tha eksperti i sigurisë së informacionit.
“Në informatikë nuk ekziston fjala “kurrë”, apo “100% e sigurtë””, tha Aurel Sterjo, ekspert IT.
Nëse dikush ka arritur që përmes viruseve të hyjë në kompjuterin apo smartfonin tuaj, kjo do të thotë se edhe paratë tuaja në llogarinë bankare janë në rrezik.
“Përdoruesit të jenë skeptikë, mos të përdorin të njëjtin “password” për e-maile apo rrjetet sociale”, tha eksperti i sigurisë së informacionit.
Ajo që ju duhet të bëni është t’i paraprini rrezikut para se të jetë shumë vonë.
“Është e këshillueshme që mos të mbahet i loguar. Në të shumtën e rasteve ato që implementojnë institucionet financiare është që pas një kohe specifike nga ana e jo aktivitetit nga përdoruesi, e çlogon përdoruesin nga sistemi”, tha eksperti i sigurisë së informacionit.
Duhet të dini se sistemi Android është i dyti pas sistemit Windows sa i takon numrit të sulmeve nga hakerat. Ndoshta, koha e daljes automatike nga aplikacioni është e e mjaftueshme për hakerat që ata të veprojnë, ndaj aplikacioni nuk duhet të qëndrojë asnjëherë hapur. Rreziku tjetër vjen edhe nga valët e internetit Wireless.
“Valët Wireles janë më të sulmuarat ndaj duhet t’i shmangni kur hapni aplikacionin”, tha Ergest Nako, ekspert i sigurisë së informacionit.
Top Channel