Marco Saracchi, është një profesor që trajnon hetuesit e krimit kibernetik në Itali. Ai ka mbërritur në Shqipëri, për të hapur një kompani për sigurinë e internetit. Në një intervistë për Top Story, Marco tregon sulmet që na vijnë nga bota virtuale.

“Një haker i vetëm mund të krijojë një sulm në qindra apo miliona kopjutera. Një person mund të lëvizë 500, një mijë kompjuter i vetëm gjatë një sulmi, 10 persona krijojnë 1 milionë sulme, 100 persona një miliardë sulme. Pra numri i sulmeve që mund të krijojë një person është potencialisht i pafundëm”, thotë Marco Saracchi.

Hakerat mund të vijnë te kompjuteri juaj edhe pse janë mijëra kilometra larg. Çdo ditë, identifikohen të paktën 5 milionë sulme kompjuterike.

“Ekzistojnë në fakt një numër superior sulmesh që nuk identifikohen si të këqinj, si sulme. Ekzistojnë shumë krime kibernetike që ndodhin çdo minutë që softet tona nuk i identifikojnë dot si të rrezikshme, dhe nuk regjistrohen. Ajo është pjesa më e thellë, pjesa më e thellë është më e rrezikshmja sepse është e panjohur. Një nga rreziqet e mëdha në internet është të mos njohësh pjesën e thellë, që është Deep Web”, thotë Saracchi.

Profesori i hetuesve të krimit kibernetik, na tregon më shumë lidhur me Deep-web, që shumë prej nesh nuk e kanë dëgjuar kurrë. Google nuk të çon në këtë botë të errët të internetit, por përdoren softe të ndryshme nga hakerat dhe keqbërësit.

“Deep-Web është një term i përdorur për të përcaktuar një lokacion dixhital, që mund të hyhet vetëm me softe specifike, që lejojnë të hysh në një WEB që është shumë më i thellë dhe mijra herë më i thellë krahasuar me Google, ku mund të gjenden sajte ku shiten drogë, armë, dokumente false, pasaporta false, karta identiteti false, mund të paguhen persona për të vrarë dike”, thotë Marco.

Deep-web, është bota e errët ku operojnë mbi 1 milionë hakera, mijëra kriminelë, terroristë por edhe qindra hetues nga e gjithë bota.

“Në Deep-Web janë dy tipologji përdoruesish. Janë kriminelët dhe forcat ligjzbatuese. Kushdo që është në Deep-Web nuk di kurrë nëse nga ana tjetër është një kriminel apo një hetues, pasi edhe hetuesit ndodhen në Deep-Web për të identifikuar kriminelët informatikë të cilët ndryshojnë përherë identitetin e tyre është dixhital natyrisht”, thotë për Top Story hetuesi.

Në betejën e përditeshme që ndodh aty, ata që konsiderohen të mirët, pra strukturat ligjzbatuese, janë të destinuar të dështojnë.

“Forcat ligjzbatuese nuk mund ta ndalin. Mund të mbyllin disa sajte, por sapo ndodh kjo, hapet një tjetër. Hakerat janë shumë më të shpejtë dhe shumë më të zotë. Paratë që investohen për të funksionuar Deep Web janë superior në krahasim me ato që investohen për ta ndalur, dhe kjo është e trishtueshme por kjo është”, përfundon hetuesi italian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA