Përpos jetëshkrimit (CV) të pasur që duhet të kenë të gjithë ata prokurorë, që mendojnë se vlejnë për në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e që kanë ambicie për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend, ata duhet të dorëzojnë gjithashtu edhe një letër motivimi mbi historitë e suksesit gjatë karrierës së tyre.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë rendit dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët për prokurorë të posaçëm, mes të cilave garuesi duhet të paraqesë edhe arritjet personale më të spikatura në hetimin e korrupsionit në vend dhe të krimit të organizuar.
Ky kusht u referohet edhe rezultateve, që prokurorët kanë pasur gjatë ushtrimit të detyrës në hetimin e krimit financiar, nga “task forcat” e ngritura vite më parë nën asistencën e ndërkombëtarëve, e që u formuan si të tilla për të goditur korrupsionin dhe krimin ekonomik.
Ky element do t’iu ulë pikë mjaft prokurorëve, të cilët ndër vite kanë humbur në gjykatë pas hetimeve të zyrtarëve të lartë për çështje korrupsioni. Por ajo që kuptohet, gjithsesi, është “drita jeshile” që do t’iu hapet mjaft prokurorëve të tjerë, të cilët kanë hetuar grupe kriminale, kanë kërkuar sekuestro të aseteve të krimit të organizuar, apo kanë hetuar modestisht korrupsionin.
Të 15 prokurorët e ardhshëm të SPAK-ut duhet të kenë kaluar vettingun, por ky nuk është një kriter ndalues për këdo që synon të kandidojë brenda datës 7 shkurt. Kjo sepse, pas dorëzimit të dosjes, edhe ai do t’i nënshtrohet me prioritet vettingut.
Megjithatë, fakt është se deri më tani, përveç 6 anëtarëve të KLP-së, nga akuza e kanë kaluar vettingun vetëm 11 prokurorë dhe me gjithë zërat, asnjëri prej tyre nuk e ka hedhur ende hapin i pari për të kandiduar për në SPAK.
Mes të konfirmuarve në detyrë janë Dritan Prençi, i cili është prokuror te Krimet e Rënda dhe që ka hetuar çështje të drogës; Besnik Muçi, Adnan Kosova, Sokol Stojani, Anila Leka, Fatjona Memçaj, Adnan Xholi, Alfred Progonati, Eloida Goxhi, apo edhe Arta Marku, e cila synon në fakt karrigen e Prokurores së Përgjithshme.
Por vettingu nuk është certifikata e vetme, me të cilën mund të shkosh prokuror në SPAK. Këta formularë duhet të firmosen nga kandidatët për prokurorë të posaçëm, duke dhënë pëlqimin së bashku me njerëzit më të ngushtë të familjes për të hequr dorë nga privatësia, e për t’iu vendosur vëzhgimit të çdo veprimi financiar. Kjo pasi, siç thuhet në formular, këto kritere janë të rëndësishme dhe në përpjestim të drejtë me nevojën për të kryer hetime pa u ndikuar nga ndërhyrjet korruptive.
Prokurori do të japë gjithashtu pëlqimin se, nëse nuk i respekton këto kushte, mund të përballet me masa disiplinore, ndër të cilat mund të jetë ndërprerja e mandatit.
— Kriteret për të cilat duhet të firmosë një kandidat për prokuror të posaçëm:
– Jam i informuar se do të caktohem me detyrë në një post që duhet të ketë besimin e posaçëm të publikut.
– Jam i informuar dhe jam dakord se do të marr një telefon fiks zyrtar, një telefon celular, një numër celular dhe një adresë poste elektronike.
– Jam i informuar dhe jam dakord të bëj të ditur çdo numër tjetër telefoni dhe adresë “e-mail” personale.
– Jam dakord të përdor vetëm këto mjete komunikimi elektronik. Nëse gjatë një emergjence do të më duhet të përdor një mjet tjetër komunikimi elektronik, do t’ia raportoj këtë fakt Oficerit Përgjegjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit brenda 3 ditësh.
– Jam i informuar dhe jam dakord që këta numra telefoni dhe adresa të postës elektronike t’i nënshtrohen vëzhgimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ku përfshihet leximi i “e-mail”-eve, mesazheve tekst, si dhe dëgjimi i bisedave.
– Jam i informuar dhe jam dakord të deklaroj llogaritë e mia financiare, si dhe të deklaroj çdo llogari të re që mund të krijoj.
– Jam i informuar dhe dakord që këto llogari do të vëzhgohen nga Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
– Jam i informuar dhe jam dakord, që nëse nuk i respektoj këto kushte, mund të përballem me masa disiplinore, ndër të cilat mund të jetë ndërprerja e mandatit tim.
– Jam i informuar gjithashtu se informacioni i përftuar nga vëzhgimi mund të çojë në ndjekje penale, nëse ka prova për një vepër penale.
– Jam i informuar dhe dakord se këto kushte janë të rëndësishme dhe në përpjesëtim të drejtë me nevojën për të kryer hetime, ndjekje penale dhe gjykime çështjesh të rëndësishme, pa u ndikuar nga ndërhyrjet korruptive.
– Gjithashtu, jam dakord që, në këmbim të këtyre kushteve, të kompensohem me një pagesë shtesë.
Top Channel