Një shqiptar është arrestuar në Itali për llogari të autoriteteve shqiptare sepse Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 20 vjet heqje lirie nën akuzën e vrasjes.
Mediat fqinje raportojnë se 37-vjeçari kishte shkuar me pushime në Stamboll për një javë dhe në momentet që ka zbritur në aeroport, policia italiane ka ushtruar kontroll rutinë ndaj tij mëngjesin e së dielës.
Shqiptari pritej në aeroport nga bashkëshortja e tij italiane. Çifti jetonte në Itali prej 11 vjetësh me dokumente të rregullta. Agjentët i kanë kërkuar atij një kontroll normal, siç bëhet me të gjithë pasagjerët që vijnë nga Turqia. Në këto momente, ai i ka dorëzuar një dokument që e identifikonte si shtetasin A.H., 38 vjeç, me shtetësi kosovare, por pas kontrollit të detajuar u shfaqën identitete të tjera që ai i kishte ndërruar ndër vite. Në një prej emrave që ai kishte patur më parë, rezultonte si një person i kërkuar nga Interpoli.
Policia e çoi në komisariatin e aeroportit dhe i morën shenjat e gishtërinjve: baza e të dhënave siguroi një emër, moshë dhe shtetësi të ndryshme. Në fakt u zbulua se bëhej fjalë për shtetasin K. D., 37 vjeç me origjinë shqiptare. Ai kërkohej nga Interpol që prej vitit 2004 dhe se në bitin 2008, Gjykata e Tiranës e ka dënuar në mungesë me 20 vjet burg për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje, raporton gazetarja e “Shqip”, Silvana Muça.
Top Channel