Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro inspektuan punimet që po kryhen në segmentin Tiranë-Qafë Kashar për ndërtimin e dy tombinove që zgjidhin problemin e përmbytjeve.
“Jemi në autostradën Tiranë-Durrës, pjesa nga Caza Italia deri tek mbikalimi i Kasharit. Jemi duke bërë një ndërhyrje për shkak të përmbytjeve që kanë ndodhur vitin e kaluar. Është bërë një studim hidrik për gjithë këtë pjesë të autostradës dhe ka rezultuar si nevojë emergjente vendosja e dy tombinove. Këto dy tombino bashkë me pastrimin e kanaleve do të bëjnë të mundur që sasia e reshjeve në maksimumin e tyre të mos krijojë më përmbytje në autostradë. Është një projekt i bërë në kuadër të programit të qeverisë për mirëmbajtjen e rrugëve. Punimet po bëhen tani sepse nuk dëshironim të bëheshin gjatë Dhjetorit për shkak të trafikut të rënduar të festave”, u shpreh drejtori i Autoritetit Rrugor Afrim Qendro.
Ai tha se edhe në segmentin nga Mbikalimi i Kasharit dhe deri në Vorë do të bëhen ndërhyrje më pas për pastrimin e tombinove.
Në vlerësimin e ministrit Gjiknuri kjo është ndërhyrja e parë serioze që po bëhet për sistemimin e një problemi shumëvjeçar.
“Pra merr zgjidhje çështja e përmbytjeve që ndodhnin në këtë zonë sa herë kishte reshje intensive të shiut. Me këtë investim ne evitojmë pjesën më të madhe të këtij problemi me të cilin qytetarët u ndeshen jo vetëm vjet por edhe më parë. Investimi është në kuadër të programit rehabilitues të rrugëve. Kërkojmë ndjesë për ndonjë pengesë që mund të krijohet gjatë këtyre ditëve në trafik pork jo është e domosdoshme për të evituar probleme edhe më të mëdha. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë në këtë rast. Vitin e fundit, programi i rehabilitimit të rrugëve ka qenë intensive dhe u bë e mundur të investohen mbi 25 milion euro. Një vlerë e cila nuk ishte menduar më parë për mirëmbajtjen e rrugëve. Produktet janë të prekshme, me sinjalistikën, riparimin e disa akseve kryesore. Edhe gjatë ditëve me reshje dëborë u vu re se programi i mirëmbajtjes po funksionon shumë mirë. Në total janë 250 kilometra ku është ndërhyrë për rehabilitim, rikonstruksion e rregullim shtresash asfaltike”, theksoi ministri Gjiknuri.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren. Vlera e investimit që po kryhet në këtë aks arrin në shumën 342,000 euro pa Tvsh.
Top Channel