Nxënësit e shkollës së mesme “A. Z. Çajupi” do ta nisin vitin 2019 në klasa dhe hapësira të reja. Investimi i Bashkisë së Tiranës ka bërë të mundur përfundimin në kohë rekord të rikonstruksionit të plotë të godinës së vjetër të shkollës, por edhe ndërtimit të palestrës së re dhe mjediseve shtesë për laboratorët dhe dhomat e kaldajave.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se ky është një lajm i mirë për nxënësit e shkollës “Çajupi”. “Qartazi është punuar gjatë gjithë kësaj stine. Edhe pse kishim planifikuar që punimet të zgjasnin një vit, pra nxënësit të hynin në shtator, lajmi i mirë është që ata do ta fillojnë mësimin në 7 janar. Tani shkolla ka ndriçim led, një palestër të re, një krah të ri me tre kate, pothuajse e bërë nga e para, tre terrene sportive, laboratorët e kompjuterëve, tualete, dhe gjithë sistemin e ngrohjes, të bërë nga e para. Tani, sigurisht pres që të dalin me rezultate të mira”, tha Veliaj.
Ai vlerësoi mirëkuptimin e prindërve, të cilët gjatë kohës që shkolla rikonstruktohej i çonin fëmijët e tyre në gjimnazet “Partizani” dhe “Eqerem Çabej”. “Dua të falenderoj gjithë komunitetin e prindërve për mirëkuptimin. Me hapjen e shkollës së re lirohen edhe shkollat “Partizani” dhe “Eqerem Çabej”, që kanë qenë me dy turne, sepse aty shkonin nxënësit e “Çajupit”. Një nga shkollat model të Tiranës, por tani model jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies dhe përkushtimin e drejtoreshës, mësuesve, prindërve, nxënësve, por tani model edhe si infrastrukturë. Infrastruktura nuk është gjithçka. Ne kemi parë nxënës me 10-ta edhe në fshatrat më të thella të Tiranës. Megjithatë, infrastruktura është diçka. Kushtet komode në një nga gjimnazet lider të Tiranës, besoj se kanë ngritur standardin se çfarë do të thotë të bësh arsim në Tiranë”, deklaroi Veliaj.
Ai solli në vëmendje edhe propozimin e fundit të kryeministrit Rama për universitet falas për gjithë nxënësit që dalin me nota të mira, çka mund jetë një shtysë më shumë për rezultate të mira për çdo gjimnazist. “Me propozimin që ka bërë kryeministri për t’ju paguar falas dhe universitetin atyre me 9 dhe 10, është shumë e rëndësishme ta mbyllim njëherë “Çajupin” me 9 dhe 10, që pastaj të na shkojë mbarë edhe pjesa tjetër e shkollës”, u shpreh kryebashkiaku. Veliaj tha se pas “Çajupit” përfundon edhe rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali”.
Deputetja e PS, Klotilda Ferhati e konsideroi rikonstruksionin e shkollës si dhuratën më të bukur që mund t’i bëhej komunitetit të Njësisë 3. Ajo falenderoi Bashkinë e Tiranës për përfundimin para afatit të të gjitha punimeve. “E falenderoj Bashkinë e Tiranës dhe të gjithë ata që punuan. Në shtator, kur erdhëm dhe bëmë inspektimet, u tha se shkolla dp të mbaronte brenda vitit. Ja ku jemi sot, shkolla është e mbaruar dhe mendoj se nxënësit do të kenë mundësinë të shijojnë ambientet e rinovuara me disa laboratorë fantastikë, do të shijojnë edhe pjesën e të nxënit dhe të mësuarit, por edhe prindërit e tyre do të jenë më të qetë e më të kënaqur sepse të paktën për ta është e sigurt tashmë, rruga drejt dijes është rruga drejt së ardhmes”, tha Ferhati.
Investimi i bashkisë së Tiranës bëri të mundur rikonstruksionin e plotë të godinës së shkollës së mesme “A. Z. Çajupi”, por edhe ndërtimin e një shtesë me 3 kate, e cila do të shërbejë për laboratorë, klasa dhe dhomën e kaldajës. Ndërkohë, është ndërtuar një palestër plotësisht e re duke qenë se palestra ekzistuese nuk i plotësonte kushtet teknike të sipërfaqes dhe ambjenteve ndihmëse. Palestra e re është pozicionuar në pjesën e përparme të oborrit. Pjesë e punës ishte edhe vendosja e sistemit të ri të hidrosanitareve në godinën ekzistuese, kanalizimeve për ujërat e zeza dhe të bardha, ndërrimi i dyerve dhe dritareve, instalimi i sistemit me ngrohje qendrore, por edhe sistemimi i të gjithë territorit të jashtëm të shkollës dhe terreneve sportive që ndodhen në pjesën e pasme të saj.
Top Channel