Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha se ka caktuar një grup pune për të diskutuar gjatë fundjavës mbi sigurinë e kufirit, një çështje që ka çuar në mbylljen e pjesshme të qeverisë.

Presidenti i bëri komentet pas një takimi të premten në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit demokratë të Kongresit, të cilët refuzojnë të financojnë planin e Trumpit për ndërtimin e një muri kufitar me Meksikën.

Ai e quajti takimin “shumë produktiv”. Nga ana e tyre, udhëheqësit demokratë dhanë një variant të ndryshëm të takimit, duke thënë se biseda me Presidentin ishte e tensionuar.

Presidenti Trump thotë se vendi ka nevojë për mbrojtje dhe tërhoqi vërejtjen se krimi, drogat dhe bandat po vërshojnë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika. Ai tha të premten se qeveria nuk do të rihapet pa u zgjidhur problemi i sigurisë së kufirit, duke shtuar se mbyllja e qeverisë mund të zgjasë me muaj ose me vite nëse kjo nuk zgjidhet.

Duke iu përgjigjur gazetarëve, ai tha se një barrierë kufitare me Meksikën mund të jetë edhe prej çeliku, nuk është e thënë të jetë një mur. Ndërtimi i një muri kufitar ishte një ndër premtimet kryesore të fushatës së tij presidenciale në vitin 2016.

Presidenti Trump tha se më shumë se 35 milionë emigrantë të paligjshëm gjenden në Shtetet e Bashkuara. Shifra e dhënë prej tij nuk përputhet me vlerësimin e ekspertëve, që pohojnë se ky numër është shumë më i vogël.

Ndërkohë, 800 mijë punonjës federalë po qëndrojnë në shtëpi ose punojnë pa pagesë prej dy javësh për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA