Të 63 vitet e jetës së Abaz Dukës kanë kaluar mes izolimit dhe hapësirës. 20 vite Abazi ka qenë i burgosur, e pas burgut përfundoi në rrugë.
“15 vite, ja këtu siç më sheh. Më ndihmojnë fqinjët të them të drejtën për të ngrënë e për të pirë. Po s’kanë ç’të bëjnë komshinjtë, në shtëpi s’më marrin dot”, shprehet Abaz Duka, i pastrehë.
Në këto ditë të ftohta, situata vështirësohet edhe më shumë për njerëzit në situatë rruge, ndaj një qendër sociale është hapur posaçërisht për ta.
“Duke qenë se ne kemi kaluar dy vite tashmë të uljeve të temperaturave, të cilat janë të pazakonta në fakt për qytetin e Tiranës, morëm vendimin që të ngrinim një qendër të posaçme, e cila do të jetë jo vetëm për njerëzit në situatë rruge, por e dedikuar specifikisht për situatat e emergjencës, sikundër është kjo tani. Qendra ofron 30 shtretër, 20 për burra e 10 për gra; të trija vaktet e ushqimit, ngrohje e veshmbathje, e sigurisht një staf profesionistësh”, tha Anisa Ruseti, drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit Social.
Kushdo mund të vijë në ndihmë të të pastrehëve, duke raportuar rastet që shohin. Në këtë mënyrë, ata nuk do të jenë më sikur të mos ishin aty, por pjesë e shoqërisë sonë.
“Evidentimi bëhet nëpërmjet skuadrave tona të terrenit, punonjësve socialë dhe psikologëve, Policisë Bashkiake dhe çdo qytetari tjetër, i cili raporton në numrin 129, në atë të Emergjencave, në numrin tonë të gjelbër në bashki, etj.”, tha më tej Anisa Ruseti.
Top Channel