Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është shprehur “thellësisht i shqetësuar” në lidhje me rritjen e prodhimit të gjetheve të “kokës”, që shërbejnë si lëndë e parë për kokainën, në Kolumbi.
Gjatë një takimi me presidentin kolumbian, Ivan Duque, Pompeo tha se dy vendet duhet të përpiqen të reduktojnë prodhimin e “kokës” me 50 për qind deri në vitin 2023. Kolumbia, nga ana e saj, është zotuar prej kohësh të përshkallëzojë programin për zhdukjen e “kokës”.
Në një raport të fundit të OKB-së rezultonte se, rritja e tokës bujqësore të shfrytëzuar për kulturën e “kokës” ka arritur nivele rekord. Vendi amerikano-latin lufton prej vitesh për të frenuar prodhimin e kokainës, ndërsa Shtetet e Bashkuara ofrojnë rreth 400 milionë dollarë në vit për të ndihmuar në luftimin e prodhuesve dhe trafikantëve.
Por, ato që nuk ndryshojnë janë pikërisht faktet se Kolumbia vijon të rezultojë prodhuesi më i madh në botë i kokainës, e Shtetet e Bashkuara konsumatorët më të mëdhenj të kokainës në botë.
“Shtetet e Bashkuara mbeten thellësisht të shqetësuara nga rritja e jashtëzakonshme e kultivimit të ‘kokës’ dhe prodhimit të kokainës në Kolumbi që prej vitit 2013, sikurse edhe për impaktin që kjo ka në secilin prej vendeve tona”, tha Pompeo teksa ishte në krah të presidentit Duque në Kartagjenë. “E dimë se ne duhet të bëjmë punën tonë për të reduktuar kërkesën në vendin tonë, e padyshim që do të vijojmë të punojmë krah jush këtu (në Kolumbi)”.
Duque, nga ana e tij falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në luftën ndaj drogës. Por, duke folur gjatë muajit të kaluar, Duque tha se më shumë se 80 mijë hektarë të mbjella me kulturën e paligjshme ishin asgjësuar në vitin 2018. Ndërsa qeveria, sipas tij, synon që të asgjësojë edhe 100 mijë hektarë të tjerë në vitin 2019.
Gjithsesi, Kolumbia kërkon më shumë parà për të bindur fermerët që të heqin dorë nga “koka” dhe të merren me kultura më pak fitimprurëse dhe ligjore.
Sipas statistikave të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), të publikuara në shtator të 2018-s, sipërfaqja e mbjellë me bimët e “kokës” në Kolumbi arriti nivele rekord gjatë 2017-s, me plot 171 mijë hektarë, një shifër kjo 17% më e lartë sesanë vitin 2016.
Top Channel