Ministria e Mbrojtjes u ka dërguar një letër 12 prefektëve të qarqeve, ku iu kërkon marrjen e masave parandaluese për situatën e pritshme emergjente, që mund të krijohet nga reshjet dhe ngricat në periudhën nga 3 janari e në vazhdim.
Dikasteri që kryesohet nga Olta Xhaçka u ka kërkuar prefektëve të qarqeve, drejtuesve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve qendrore, në nivel rajonal dhe vendore, marrjen e masave urgjente sipas fushave të përgjegjësisë për përballimin e çdo situate emergjente, si dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të komunitetit.
Përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, MM u ka kërkuar prefektëve të komunikojnë me subjektet kontraktore që të vendosin në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre njerëzore dhe teknike, të grumbullojnë sasi të mjaftueshme kripe, etj., për të ndërhyrë në pastrimin e rrugëve nga dëbora, eliminimin e ngricave në rrugë, pastrimin e rrugëve nga inertet dhe gurët që mund të bien në rrugë, etj..
Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar prefektëve të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë së Shtetit, ARRSH-së dhe OSHEE-së, për të pasur një menaxhim dhe qarkullim normal të automjeteve në akset rrugore, veçanërisht të atyre që kryejnë transportin e nxënësve dhe mësuesve për në shkolla dhe anasjelltas, si dhe të punohet për eliminimin në kohë të defekteve në furnizimin me energji elektrike të komunitetit, objekteve social-kulturore, spitaleve, etj, për të përballuar sa më mirë situatën që mund të krijohet nga reshjet, ngricat, etj..
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë marrë masat dhe janë në gatishmëri për të përballuar situatën e vështirë që pritet të krijohet nga reshjet e borës dhe ngricat, që pritet të përfshijnë vendin tonë në ditët në vijim.
Top Channel