Gjatë vitit të kaluar, hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller është vërtitur rrezikshëm përreth Donald Trumpit, duke nxjerrë në dritë të dhëna të reja mbi lidhjet e supozuara mes Rusisë dhe fushatës së presidentit.
Por në kontrast të thellë prej tij, thotë CNN, 2018-ta, ishte një vit i mirë për Vladimir Putinin. Në mars, kreu i shtetit rus vulosi pa mundim një tjetër fitore të rëndësishme, duke rrëmbyer një tjetër mandat presidencial.
Triumfi i tij nuk ishte vënë ndonjëherë në dyshim, megjithatë Kremlini ia doli të sigurohej për pjesëmarrjen e lartë që i nevojitej shefit të tij për një mandat të fortë.
Por, ngjarja më e rëndësishme e kalendarit të vitit që po mbyllet, për Putinin nuk ishte politike. Rusia mikpriti përpara pak muajsh Kupen e Botës dhe eventi gjigant sportiv rezultoi një ngadhnjim për presidentin; më shumë se 3 milionë tifozë ndoqën ndeshjet në 12 stadiume anekënd vendit. Vetë grupi i studimit teknik të FIFA-s e lavdëroi turneun si më të mirë e organizuar ndonjëherë. Ndonëse Kupa e Botës u mbyll me fitoren 4 me 2 të Francës mbi Kroacinë, fituesi i vërtetë ishte Rusia, vazhdon gjiganti mediatik amerikan.
Eventi i lejoi asaj të tregonte anën e vet më të mirë pas vitesh të tëra izolimi politik dhe përplasjesh me Perëndimin që prej aneksimit të Krimesë. Kampionati shërbeu si mundësi për t’i treguar të huajve një vend jashtë stereotipit të zakonshëm të ”Draprit e çekanit”.
Shumë prej tyre mësuan gjëra që nuk i dinin për kulturën dhe qytetet tona, e takuan njerëz mjaft mikpritës, pati thënë Putin në mbylljen e ndeshjes finale; Miliona vetë, shtoi ai, kam bindjen se e kane ndryshuar këndveshtrimin e tyre për Rusinë dhe kjo për ne, ështe një arritje e madhe.
Top Channel