Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale për të uruar shqiptarët anembanë, në Shqipëri, Kosovë, diasporë e kudo në mbarë botën.
Duke bërë një prezantim të atyre çfarë pritet të bëhen të prekshme pas më pak se 6 orësh, kur viti 2018 të ikë e të vijë viti 2019, Rama përmendi gjithashtu edhe ato që janë arritur deri më sot.
“Së shpejti, brenda pranverës që vjen, do ta vendosim kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës në regjimin e kritereve teknike të marrëveshjes Schengen. Një kufi i hapur që e synojmë edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e me Greqinë po ashtu, në një të ardhme shumë më të afërt sesa anëtarësimi ynë në Bashkimin Europian. Ndërkohë, për çdo bebe të lindur pas orës 00:00 të mesnatës së sotme do të hyjë në fuqi çeku i ri i bebes, një program mbështetjeje financiare për çdo çift të ri, por edhe për nëna e baballarë që bëhen prindër për herë të dytë, të tretë. Nga nesër, mijëra sipërmarrës që kanë krijuar biznese, punësim e vetëpunësim, mes fashës së xhiros 8 mln-14 mln lekë në vit, do të paguajnë 3 herë më pak taksë mbi fitimin. Sikundër për fermerët, nga nesër taksa 20% mbi inputet bujqësore bëhet më në fund zero. Nga nesër, studentët tanë përfitojnë përgjysmimin e tarifës së regjistrimit në universitet, ndërkohë që më të mirët, ata me mesatare 9-10, si dhe studentët nga familjet me ndihmë ekonomike, ose me aftësi të kufizuara do të përfitojnë jo vetëm zerimin e tarifës, por edhe një bursë 10 mijë lekë në muaj”, u shpreh kryeministri Rama.
Ai premtoi gjithashtu se deri në pranverë, vendet e punës në administratën shtetërore në tërësi do të shpallen në dispozicion të atyre që kanë mbaruar më parë, apo do të mbarojnë këtë vit shkollën me 9 deri në 10.
“Punësimi i tyre në shtet do të jetë automatik dhe radha e zgjedhjes do të ndiqet bazuar në rezultatet e tyre, me parimin më i miri zgjedh i pari”, tha Rama.
Viti 2019 do të shënojë edhe fillimin e fluturimeve ndërkombëtare në Aeroportin e Kukësit, ndërkohë që do të nisin punimet për ndërtimin e Aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, sikurse edhe hekurudhës së parë moderne Tiranë-Durrës.
“Këto janë edhe 6 orët e fundit të kumarit në Shqipëri. Nga nesër, asnjë prind nuk do të ketë më frikë nga borxhet e fëmijëve në kumar, asnjë familje nuk do të jetë më e kërcënuar nga konfliktet rraskapitëse dhe divorcet për shkak të kumarit. Qindra miliona euro që deri më sot i ka marrë lumi dhe i ka thithur llumi i botës së errët të bixhozit do të mbeten në arkën e familjeve shqiptare për konsum”, deklaroi më tej Rama.
Por, jo gjithçka është panoramë e shkëlqyer.
“E di mirë që ka ende jo pak shqiptarë që mezi e nxjerrin muajin, apo që nuk u bëjnë dot një dhuratë fëmijëve të tyre për Vitin e Ri. Duke i kërkuar ndjesë sinqerisht kujtdo që nuk ka prekur ende asgjë nga këto arritje të 2018-s, i siguroj që të gjithë se kjo është arsyeja kryesore që më motivon në betejat e përditshme për Shqipërinë që duam”, tha Rama.
Duke kaluar te Reforma në Drejtësi, Rama tha se ky vit mbyllet me pastrimin e sistemit të drejtësisë shqiptare nga prokurorë e gjykatës të padenjë, peshq të mëdhenj të llumit të padrejtësisë shqiptare, si dhe me ngritjen e disa institucioneve të rëndësishme të drejtësisë së re.
2019-a, sipas kryeministrit Rama do të nisë edhe me një qeveri të re, dhe një fillim të ri për të gjithë organizmin e shumicës sonë qeverisëse.
“Ne mund të kemi shumë kusure, por padyshim jemi të vetmit që u japim dhe do t’u japim zgjidhje problemeve të trashëguara të këtij vendi”, tha kryeministri.
Pasi e cilësoi si një vit bujar për të, me mësimet që i ka dhënë, Rama uroi një vit të mbarë 2019 për të gjithë shqiptarët.
“Me besimin më të madh se më e mira është ende duke ardhur, si dhe me falënderimin më të përunjur për të gjithë mbështetjen, inkurajimin, por edhe reagimet tuaja kritike, ju përcjell urimet e mia më të përzemërta: Qoftë një vit i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për çdo familje ku flitet shqip, për ju të gjithë dhe për të gjithë të dashurit tuaj”.
ERTV Live?: PËRZEMËRSISHT GËZUAR TË GJITHË SHQIPTARËVE????
Posted by Edi Rama on Monday, December 31, 2018
Top Channel