Ndërsa vijojnë punimet tek stadiumi “Arena Kombëtare”, Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e hapësirës pas tij, e cila do të shndërrohet në një kënd lojrash dhe mjedis çlodhës.
“Jam shumë i lumtur që shoh një projekt të ri të dy ndërmarrjeve shembullore të Bashkisë së Tiranës, të cilat me forcat dhe mjetet e tyre po kthejnë një hapësirë të degraduar të qytetit, si fusha pas stadiumit “Qemal Stafa”, në një hapësirë fantastike për fëmijët e gjithë familjet e kësaj zone. Sigurisht, bëhet në vigjilje të hapjes së stadiumit në pranverën apo verën e vitit tjetër dhe besoj se shkon me premtimin tonë për të rikuperuar çdo hapësirë publike”, deklaroi Veliaj.
Ndërsa hapësira përballë stadiumit do të shndërrohet në pedonale: “Në gjullurdinë e rrumpallën e viteve ’90, këtu janë kthyer e kompensuar prona, por ama çdo cep që kemi gjetur, që është ende pronë publike, e kemi transformuar. Ky transformim ka të bëjë me pjesën publike të fushës, pas stadiumit “Qemal Stafa”, që do të vazhdojë edhe me pjesën përballë stadiumit; ka të bëjë me parkingun nëntokësor, që po ecën me ritme të jashtëzakonshme, sigurisht edhe me shpronësimin e ndërtesës 5-katëshe që është mes stadiumit dhe rektoratit, që gjithashtu do të largohet për të krijuar një tjetër hapësirë pedonale, si para, si pas stadiumit, kurse stadiumi do të dalë në pah si një “xhevahir” i Tiranës moderne”.
Ky projekt i bashkisë parashikon sistemimin e ambienteve çlodhëse për moshën e tretë, ndërtimin e një shatërvani, shtrimin e rrugicave me pllaka dekorative si dhe vendosjen e spoteve ndriçuese dhe shumë luleve.
Top Channel