Për herë të parë, jo vetëm disa ditë para natës së Vitit të Ri, por as në momentin e ndërrimit të viteve, qytetarët nuk do të hedhin fishekzjarre.

Këtë vit, hedhja e fishekzjarreve është ekskluzivitet i bashkisë, që në momentin e ndërrimit të viteve, për gati 30 minuta në sheshin “Skënderbej” do të ofrojë një spektakël fishekzjarresh si në qytetet e vendeve europiane.

Julinda Dhame, drejtoreshë e promovimit të qytetit, shprehet: “Ne shpëtuam nga vendimi që ka marrë Ministria e Brendshme përsa i përket shpërndarjes së fishekzjarreve, pasi vërtetë ka qenë një problem në shesh, pasi rrezikoheshin qytetarët aty ku mbahej koncerti. U them qytetarëve të Tiranës që të kenë besim te bashkia për një superspektakël gjatë natës së Vitit të Ri”.

Por, në sheshin “Skënderbej”, në datën 31 në mbrëmje do të ketë dhe një koncert me këngëtarë të njohur, të cilët do të performojnë për të gjithë ata që do të dalin për të pritur ndërrimin e viteve në shesh.

“Në orën 23:00 fillon spektakli dhe koncerti i madh i Vitit të Ri me këngëtarë të njohur si Eneda Tarifa, Sidrit Bejleri, Eranda Libohova dhe shumë të tjerë”, thekson Dhame.

Dhe jo vetëm në 31, por edhe në fundjavë Bashkia e Tiranës ka përgatitur një festival dritash shumëngjyrësh për qytetarët e Tiranës, por kryesisht fëmijët, të cilët i gëzojnë më shumë festave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA