Festa e Vitit të Ri, shpërndahen dhurata për fëmijët në nevojë të qendrave sociale

26/12/2018 13:35

Me ndihmën e kompanive private, Bashkia e Tiranës shpërndau sot dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që vijnë nga familje në nevojë në Qendrën Sociale Multidisiplinare në Bulevardin “Zogu I”, për t’i krijuar edhe atyre mundësinë që të festojnë si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë.

Festës iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili pasi shpërndau dhuratat për fëmijët, theksoi se solidariteti na bën qytetarë më të mirë.

Ai ftoi edhe kompanitë e bizneset e tjera që veprojnë në Tiranë që të japin kontributin e tyre në këtë fushatë solidariteti për njerëzit në nevojë. “Mezi pres që edhe këtë vit, shumë studentë vullnetarë apo të tjerë që kanë në zemër të kontribuojnë, të kenë mundësi ta bëjnë. Na kanë ngelur edhe pak ditë derisa të vijë Viti i Ri, dhe besoj që ka plot kompani të tjera, ndonjëherë është mukajeti, thjesht s’u ka shkuar në mend dhe besoj që kjo e sotmja është një kujtesë edhe për kompani të tjera, për këdo që i ka mundësitë të vërë diçka mënjanë, do i ishim shumë mirënjohës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi gjithashtu se çdo kontribut që vjen në këtë drejtim edhe nga individë të veçantë është i mirëpritur. “Tirana është vërtet qyteti i një milion problemeve, një milion banorëve, por edhe i një milion mundësive dhe për të gjithë ata që këtë vit kanë hequr mënjanë një lodër, ndonjë veshje, një vakt, i falenderoj me gjithë zemër, se qytetar dhe kryeqytetar nuk të bën adresa, nuk të bën numri i apartamentit në Tiranë, por mënyra si sillesh. Për të gjithë ata që pavarësisht kushteve ekonomike janë sjellë me kaq shumë solidaritet, besoj që meritojnë titullin kryeqytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe banorë shumë dinjitozë të Tiranës”, shtoi Veliaj.

Ai shprehu mirënjohjen edhe për të gjithë punonjësit social të Bashkisë së Tiranës dhe vullnetarët e qendrave sociale që edhe në këto ditë festash qëndrojnë pranë fëmijëve dhe njerëzve në nevojë. “Sot jam shumë krenar për qendrat sociale. Nga largimi nga rruga, deri tek vaksinimi, çuarja në shkollë, veshja, ushqimi, këshillimi, të gjithë nevojat e tjera, për ndihmën ekonomike, apo asistencë me bonus qiraje që i jepet familjes, është një punë e heronjve të padukshëm të qytetit tonë. Të gjithë këta heronj të padukshëm, në fakt bëjnë këtë punën si milingona, që punojnë përditë e përditë. Sot jam shumë i lumtur që fëmijë që deri dje i shikonim në situatë rruge, sot në fakt i shohim duke shkuar në shkollë e duke marrë 10-ta”, shtoi Veliaj.

Mandej, sqaroi se për të gjithë ata që shfrytëzojnë fëmijët për qëllime përfitimi përmes lypjes, do të ndëshkohen me gjobë. “Një njeri që lyp s’ka as llogari bankare, as numër NIPT-i, as adresë ku mund t’i vëmë gjobë, as nuk e kemi menduar t’i vëmë gjobë, por dikush që shfrytëzon lypësit, që qëllimisht e merr dikë dhe e trajton si bankomat, e nxjerr në rrugë për ta shfrytëzuar, për t’i futur duart në xhepa. Sigurisht, për këtë jo vetëm gjobë, por edhe burg, edhe sanksione të tjera, sepse askush nuk ka të drejtë, qoftë edhe fëmijën e vet, ta shfrytëzojë për të marrë para nga rruga. Ndaj, jo vetëm që s’ka gjobë për lypësit, por përkundrazi kemi marrë përsipër programin social më radikal që është marrë ndonjëherë në qytetin e Tiranës dhe Republikën e Shqipërisë, ama për ata që i shfrytëzojnë do të jemi të pamëshirshëm. Të mëshirshëm me të dobëtit, të pamëshirshëm me ata që abuzojnë dhe që shfrytëzojnë një njeri tjetër për interesin e tyre”, theksoi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA