Gati 10 ditë pasi studentët nisën protestat duke kërkuar rritjen e buxhetit për arsimin, qeveria ka miratuar një dokument zyrtar që jo vetëm nuk i rrit financimet publike në arsim, por parashikon uljen e tyre në raport me prodhimin kombëtar gjatë tre viteve të ardhshme.
Bëhet fjalë për projektbuxhetin afatmesëm 2019-2021, të cilin qeveria e ka miratuar në datën 12 dhjetor të këtij viti. Sipas draftit, në vitin 2019 shpenzimet publike për arsimin do të jenë 57.9 miliardë lekë ose 3.3% e prodhimit kombëtar. Por, pas këtij viti, buxheti i arsimit do të ulet, fillimisht në 3.2% e prodhimit kombëtar për 2020-n dhe 3% në 2021.
Në listën me 8 pika që studentët i kanë drejtuar qeverisë, njëra nga më kryesoret është rritja e buxhetit të arsimit në 5% e prodhimit kombëtar duke filluar nga viti i ardhshëm. Por vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se plotësimi i kësaj kërkesë është i pamundur, të paktën në afatshkurtër.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi një sërë lehtësirash për studentët. Pas mbledhjes kryeministri Rama njoftoi se qeveria do të paguajë gjysmën e tarifës për çdo student, ndërkohë që për ata me mesatare mbi 9 universiteti do të jetë falas, pa tarifë.
Po kështu, financime shtesë do të ketë edhe për kategoritë e veçanta si studentët e verbër, tetraplegjikët, paraplegjikët apo ata që vijnë nga familjet me ndihmë ekonomike.
Por, pavarësisht këtyre ndryshimeve, buxheti për arsimin duket se do të mbetet larg nivelit 5% të prodhimit kombëtar, të paktën deri në vitin 2021.
Top Channel