Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjes në të gjitha mensat sociale për njerëzit në nevojë

25/12/2018 14:26

Si për çdo festë, Bashkia e Tiranës ka shtruar drekë për familjet në nevojë. Në mensën sociale “Gonxhe Bojaxhiu”, drekën e Krishtlindjeve e shërbyen punonjësit e bashkisë.

“Të gjithë atyre nga qendra sociale “Nënë Tereza” që janë të besimit të krishterë, iu urojmë gëzuar Krishtlindjen sepse mbi të gjitha është festa juaj. Qofshi gjithmonë të lumtur dhe paçi vetëm të mira e gëzime në familjet tuaja! Gëzuar! Por, dua që t’i uroj edhe gjithë të tjerët, pavarësisht se çfarë besimi keni, festa e Krishtlindjes është një festë që jo vetëm festohet nga ata që janë besimtarë dhe kujtojnë lindjen e Krishtit, por është edhe një kujtesë për të gjithë ne të tjerët. Nuk ka rëndësi se çfarë besimi jemi për të dhuruar dashuri, për të dhënë të gjithë nga pak për Krishtlindje”, tha Veliaj.

Qytetarët e Tiranës kanë qenë shumë solidarë në këtë muaj festash për familjet në nevojë, por Veliaj u bëri thirrje që bujaria dhe solidariteti të ekzistojnë në çdo muaj të vitit: “Nëse ky dhjetor ishte një rekord ku njerëzit dhuruan lodra, rroba, ushqime dhe e gjithë Tirana festoi gjatë gjithë muajit, unë besoj se mund t’i kemi të gjithë muajt kështu. Pse mos ta vazhdojmë në janar, në shkurt e me radhë. Ndaj, thirrja ime është për të gjithë ata që i kanë mundësitë, qofshin individë, familje, kompani: siç e kishin këtë frymë solidariteti gjatë dhjetorit, ta vazhdojmë gjatë gjithë vitit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA