Në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë dhjetëra besimtarë u mblodhën për të festuar lindjen e fëmijës hyjnor. Besimtarët katolikë me qirinj në duar kanë pritur mes lutjes mbërritjen mesnatës që shënon 25 dhjetorin e shenjtë për ta, lindjen e Birit të Zotit.

Mesha tradicionale e Krishtlindjeve u mbajt nga Imzot George Frendo. Gjatë fjalës së tij ai iu referua ngjarjeve të fundit politike, ku bëri apel për dialog dhe jo dhunë. Ai u shpreh se problemi më i madh i Shqipërisë sot është largimi i të rinjve, për këtë arsye ai thërret politikën që të zgjidhë problemin e papunësisë.

Frendo këshilloi të rinjtë që të kërkojnë më shumë për të krijuar një Shqipëri më të mirë, ndërsa shtoi se shqiptarët kanë vuajtur shumë dhe tani meritojnë një jetë më të mirë.

Kisha katedrale e “Shën Palit” dhe shumë kisha të tjera katolike në gjithë Shqipërinë ishin në natën e shenjtë të Krishtlindjes arena feste dhe gëzimi për besimtarët.

Shkodër – Në katedralen “Shën Shtjefnit” në Shkodër mesha u udhëhoq nga Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult Angelo Massafra para qindra besimtarëve të krishterë, të cilët edhe pse binte shi nuk munguan. “Në natë duhet të tejkalohet çdo vështirësi, urrejtje e mëri ndaj të tjerëve, duke hapur zemrën për dashuri”, ishte mesazhi i Arqipeshkvit për besimtaret shkodranë.

Lezhë – Reshjet e shiut nuk i ndaluan besimtarët lezhianë që të marrin pjesë në meshën e udhëhequr nga Ipeshkvi i Lezhës, Ottavio Vitale.

Durrës – Në Durrës besimtarët katolikë e pritën Krishtlindjen në kishën “Shën Luçia” dhe famullinë e Shën Domenikut ku u mbajtën meshat solemne.

Ndërsa besimtarët ungjillorë e ndanë mesazhin e kësaj feste bashkë me qytetarët durrsakë duke u mbledhur e festuar në sheshin kryesor të qytetit bregdetar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA