Festat e fundvitit dhe atmosfera e gëzueshme që ato ofrojnë kanë trokitur edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara të institutit “Ramazan Kabashi”, për fëmijët rom dhe ata që vijnë nga familjet në nevojë. Nën ritmet e muzikës, lojës së aktorëve të cirkut dhe humorit, nën kujdesin e veçantë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ata morën dhuratat nga babagjyshi i Vitit të Ri.
Festës së tyre iu bashkua edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndërsa shpërndau dhuratat për vogëlushët, shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që në këto ditë festash gjejnë pak kohë për t’i shërbyer njerëzve që kanë nevojë për mbështetje. Ai tha se këtë vit Bashkia e Tiranës do të shpërndajë dhurata për të gjithë fëmijët që vijnë nga familje në nevojë ekonomike dhe zonat periferike të Tiranës, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të festojnë.
“Për të gjithë fëmijët që vijnë edhe nga zonat periferike, që vijnë edhe nga fshati, për të gjithë ata që vijnë nga qendrat sociale, që janë me ndihmë ekonomike, që vijnë nga komunitetet e ndryshme që asistohen nga Bashkia, këtë vit të ri do të marrin dhurata. Do të sigurohemi që të gjithë fëmijët e Tiranës të kenë dhurata”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se periudha e festave është një moment reflektimi për këdo që ka mundësi të ndihmojë të tjerët që të bëhet solidar dhe të kontribuojë që i gjithë qyteti të ketë mundësi të festojë dhe gëzojë për ardhjen e Vitit të Ri. “Duam që ta shfrytëzojmë këtë mundësi, t’i kërkojmë të gjithë atyre që i kanë kushtet, që mund të dhurojnë, që mund të ndihmojnë një familje në nevojë, që mund t’i japin dorën dikujt, që mund të përgatisin një pako për Vitin e Ri, që të kenë mundësi ta bëjnë për të gjithë fëmijët e Tiranës. Thirrja ime për gjithë çunat dhe gocat që po na dëgjojnë, dhe për gjithë familjet që i kanë mundësitë, është që të identifikojnë në pallatin e tyre ose në lagjen e tyre, ose në rrugicën e tyre një familje në nevojë, dhe të kenë mundësi që ta ndihmojnë për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se nëse të gjithë tregohen solidarë në këto ditë festash, atëherë qyteti i Tiranës do jetë më i mirë dhe festiv. “Jam i sigurt që nëse secili, ashtu si APR-ja po ndihmon të gjithë fëmijët në nevojë, nëse secili e bën këtë për këdo tek lagjja e vet, tek pallati i vet, tek klasa e vet, atëherë e gjithë Tirana do të jetë më e lumtur, dhe të gjithë fëmijët do të kenë mundësi që të festojnë për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri”, shtoi ai.
Aktiviteti “Buzëqesh me fëmijët” u zhvillua në ambientet e Parkut Olimpik me të ftuar aktorin e “Portokallisë”, Irgen Çela dhe artistin e Cirkut Kombëtar, Julian Kazazi.
Top Channel