Policisë së Shtetit i shtohen edhe 30 kryekomisarë të rinj. Pas ankesave të shumta për mënyrën e organizimit të testit të zhvilluar para pak javësh, komisionet e vlerësimit rimorën në shqyrtim duke rikorrigjuar rezultatet me shkrim.
Në listat e fituesve që disponon Top-Channel bie në sy se disa prej kandidatëve gjatë rikorigjimeve të testimit me shtjellim, u janë dhënë shtesë nga 10 deri në 20 pikë duke kaluar pragun prej 70 pikësh që të shpall automatikisht fitues për gradën kryekomisar.
Sipas burimeve disa prej kandidatëve të tjerë nuk u është pranuar ankimimi me arsyetimin se kanë aplikuar jashtë afateve duke sjellë sërish pakënaqësi në radhët e uniformave blu.
Para pak javësh edhe konkursi për një gradë më poshtë, ajo e komisarit, u anulua pasi procesi u cënua dhe pati dyshime se teza u shpërnda para provimit.
Policët u detyruan të rijapin provimin në një mjesdis tjetër në masa sigurie si maturantët. Vetë ministri i brendshëm Sandër Lleshaj ka pranuar prezencën e problematikës së gradave në policinë e shtetit.
Sipas tij në radhët e uniformave blu mungojnë rreth 30 përqind e gradave që do të thotë se 1/3 e punonjësve të policisë mbajnë një post më të lartë se grada që përfaqësojnë.
Top Channel