Veliaj në Japoni: Shqipëria port hyrëse për investimet japoneze

19/12/2018 13:08

Eksperienca japoneze në menaxhimin e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore, si dhe një transport publik miqësor me mjedisin ishin temat e vizitës së kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Japoni.

Me ftesë të qeverisë japoneze, kryebashkiaku zhvilloi takime me Guvernatoren e Tokios, Yuriko Koike, ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Taro Kono, si dhe me zëvendës/Presidentin Ekzekutiv të JETRO, Organizata Japoneze e Tregtisë së Jashtme, Yasukazu Irino.

Në takimin me Guvernatoren e Tokios, Yuriko Koike, kryebashkiaku Veliaj diskutoi mbi rritjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy qyteteve për një sërë projektesh konkrete. Disa nga fushat e bashkëpunimit kishin të bënin pikërisht me emergjencat civile, pastrimin dhe transportin publik.

“Ndihem posaçërisht i lumtur për takimin me guvernatoren e Tokios, një qytet i stërmadh me 30 milionë banorë, e megjithatë ka sfida të ngjashme kur vjen puna tek menaxhimi i emergjencave civile, siç është çështja e pastrimit. Ajo që dakordësuam është se në fushën e emergjencave civile, vitin tjetër do të fillojmë një projekt të veçantë me Bashkinë e Tokios, kryesisht për të menaxhuar ato që shihen si më problematike, siç janë zjarret, përmbytjet apo të gjithë ndërhyrjet e tjera që duhet të bëjmë në një rrjet infrastrukture që e bën qytetin më të qëndrueshëm, sidomos me ndryshimet klimaterike. Mezi pres, po ashtu, që edhe në çështjet e transportit publik, me gjithë transferimin që po u bëjmë flotave tona në transportin elektrik, të kemi më shumë për të mësuar nga Tokio”, tha Veliaj.

Mandej, ai zhvilloi një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Taro Kono. Ata vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona, ndërsa theksuan nevojën për të shtuar bashkëpunimet konkrete, sidomos në fushën e investimeve dhe zhvillimit të biznesit. Veliaj prezantoi ndryshimet që ka pësuar Tirana në vitet e fundit dhe klimën shumë miqësore që ajo ofron për investime të ndryshme, përfshi edhe ato japoneze.

“Qeverinë japoneze e kemi pasur pranë në shumë nga transformimet e Tiranës, qoftë për projektin që po bëhet me qeverinë qendrore, lidhur me kanalizimet e ujërave të zeza të Tiranës dhe asaj që është impianti i Kasharit apo edhe në nivel bashkie, ku shumë ndërhyrje në Parkun e Liqenit, qoftë me mbjelljet e pemëve apo me sistemin e pastrimit, i kemi bërë me ndihmën e agjencive dhe kolegëve japonezë. Ajo që sot na intereson është si mund të promovojmë Shqipërinë e Tiranën, si vend për investime. Ndaj, me kompanitë japoneze, nëpërmjet Agjencisë së tyre të Tregtisë, kemi reklamuar atë që ofron Tirana e Shqipëria, si paketa për investitorët strategjikë, ashtu edhe lehtësirat që ofron qyteti i Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku.

Më tej, Veliaj informoi ministrin japonez mbi mundësinë që ofron Shqipëria për të bërë biznes dhe si një rrugëkalimi për gjitha investimet japoneze drejt Ballakanit. “Unë shpresoj shumë që nisma e kryeministrit Abe për rajonin perëndimor mund ta shohë Tiranën si një port hyrës për investimet japoneze, por edhe si një pikë koordinimi për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në lidhje me Japoninë”, theksoi ai.

Gjatë kësaj vizite, Veliaj zhvilloi edhe një takim me Zëvendës Presidentin Ekzekutiv të JETRO, Organizata Japoneze e Tregtisë së Jashtme, Yasukazu Irino, me të cilin diskutoi për nxitjen e sa më shumë investimeve japoneze në Shqipëri. Kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi gjithashtu rolin që luajnë dy ambasadat tona, në Tiranë dhe Tokio, si ura të forta bashkëpunimi, jo vetëm me shkëmbimet tregtare, por edhe shkëmbimet mes qytetarëve apo studentëve e të rinjve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA