Skandali nuk mbaron me kaq. Vetë ministria e arsimit pas miratimit të ligjit, bëri edhe një lojë tjetër të pistë në favor të universiteteve private. Ajo vonoi të nxirrte aktet nënligjore, të një ligji plot gabime.
“Për shkak të mungesës së akteve nënligjore, ne jemi vendi i vetëm në europë, që nuk kemi cikël të tretë studimesh, për shkak se akti nënligjor që përcakton kuotat e doktorraturave, nuk doli deri në vitin 2018”, tha Rigels Xhemollari.
Pikërisht ky është një tjetër problem, i shkaktuar nga ligji i arsimit të lartë. Degradimi i kërkimit shkencor dhe bllokimi i doktoraturave janë denoncuar në periudha të ndryshme kohore.
Abuzimet masive nisin që në qeverisjen “Berisha”, në vitin 2010, dhe vijojnë më pas me qeverinë e Edi Ramës.
Auditet e kryera nga Ministra tregojnë se Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike u kthye në një “fabrikë” doktoraturash për një numër të madh mjekësh, stomatologësh apo pedagogësh të Infermierisë në Tiranë dhe në rrethe.
Ata u regjistruan aty pasi kishin dështuar më parë të fitonin në programet e ciklit të tretë të fakulteteve të tjera respektive në Universitetin e Mjekësisë.
Ky fakultet dhe pse kishte vetëm 4 pedagogë me tituj shkencorë, hapi dyert për 320 doktorantë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në vitet 2010-2013.
Si pasojë e problemeve të evidentuara nga auditet për funksionimin e shkollave doktorale në vitet 2010-2013, u bllokua procesi njohjes së gradës shkencore “Doktor”, për rreth 170 kandidatët në proces gjatë vitit 2016.
Vendimi i bllokimit të njohjes së gradave shkencore, u mor nga dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Tatjana Çina pak kohë pasi ajo zëvendësoi në këtë post dekanin jetëgjatë të fakultetit, Petrit Bara.
“Të gjithë doktorantët që kishin mbrojtur doktoraturën në atë periudhë, nuk plotësonin kriteret ligjore për sa i takon artikujve, referimeve shkencore si dhe gjuhës së huaj”, tha Tatjana Çina, Dekane FSHMT.
Në audit thuhet se në dosjet e disa studentëve u gjetën dokumente të mbrojtjes së gjuhës angleze, të lëshuara nga Dhoma e Tregtisë Angli-Shqipëri, institucion ky i palicensuar nga Ministria e Arsimit.
Çina tregon se dosjet e doktoranteve kanë pasur mangësi jo vetëm në cilësinë e referimeve, gjuhës së huaj por dhe në fallsifikimin e dokumentacioneve.
“Artikuj të doktorantëve, asnjë se kishte mbrojtur sipas rregullores, ose në aktivitete të njohura, shumica e tyre, kishin bërë punimet shkencore në aktivitete që ka bërë fakulteti i shkencave mjeksore, në Tiranë, Kosovë, Maqedoni apo vende përreth nesh”, tha Tatjana Çina, Dekane FSHMT.
Rruga e “mbushjes së kuotave” të akorduara nga Këshilli i Ministrave u hap përmes dy vendimeve të marra nga Këshilli i Profesorëve dhe Senati Akademik.
Vendimi i parë ishte për uljen e kufirit për kriterin e notës mesatare nga 8 në 7 dhe vendimi i dytë konsistonte në nivelin e njohurive të gjuhës angleze nga C1 në A1.
Përveç zbutjes së kritereve në fazën e regjistrimit, grupet e auditit kanë evidentuar probleme edhe gjatë procesit akademik apo në mbrojtjen e dezertacioneve para jurive.
Sipas tyre, në dosjet e disa prej doktorantëve mungojnë publikimet e duhura shkencore. Përshembull, kushti i referimeve në konferenca ndërkombëtare është plotësuar përmes organizimit të aktiviteteve nga vetë fakulteti. Kjo është një shkelje, ose mund të themi një mashtrim, pasi konferencat lokale në Tiranë janë shitur si konferenca ndërkombëtare.
Top Story e pati të pamundur të gjente numrin e personave që mbajnë gradën shkencore Doktor.
Ministria e Arsimit e drejtuar nga Lindita Nikolla, nuk iu përgjigj pyetjeve që Top Sotry pati mbi këtë proces.
Top Channel