I gjithë uragani studentor që shpërtheu, e ka zanafillën 4 vjet më parë, kur u miratua Ligji i ri për Arsimin e Lartë.

Ajo çka zemëroi studentët vit pas viti ishin të metat e këtij ligji, por gjithashtu edhe zbatimi në praktikë, qoftë edhe me gabimet.

Që nga rritja e tarifave bazë, pagesat absurde për vërtëtime e provime të mbartura, e deri tek kapja e bordeve të administrimit nga njerzit e politikës. Të gjitha mbështillen rreth një boshti kryesor, ligji për arsimin e lartë.

Pavarësisht se ky ligj u miratua nga qeveria Rama në vitin 2015, si një draft reformë, ai ishte hartuar më herët në kohën e kryeministrit Berisha, kur Partia Demokratike qeveriste me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Parahistoria e këtij ligji nis në fakt që në vitin 2010. Në 2010-ën, qeveria Berisha prodhoi një draft reformë, që kishte të njëjtën frymë që u miratua në 2015”, tha Arlind Qorri, Lëvizja për Universitetin.

Kjo do të thotë se ky ligj në fakt nuk ka ngjyrë politike. Të gjitha partitë politike janë vënë në interesa të caktuara.

“Të treja partitë, pavarsisht deklaratave kanë qenë në të njëjtën tavë. Të miratonin një ligj, që ta them shqip, bazohej në financimin e universiteteve private me paratë e popullit”, tha për Top Story Arlind Qorri.

Ja pse ky ligj pati këto pasoja. Ja pse sot studentët janë në rrugë. Për shkak të frymës klienteliste dhe korruptive që ka ky ligj. Partia Demokratike bën sikur është kundër këtij ligji, por në vitin 2015 kryetari Lulzim Basha, as nuk e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese.

Presioni i universiteteve private ishte i madh. Por hiprokizia arrin kulmin me qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo forcë politike e aprovoi të njëjtin ligj kur ishte në qeverisje me Berishën. Më pas votoi përsëri sërish pro tij, kur qeveriste me Ramën.

“Kur PD dhe LSI ishin ne koalicion u nis të konceptohej ky ligj. Kur PS dhe LSI ishin në koalicion ky ligj u miratua”, shprehet Arlind Qorri.

Sot Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka kërkuar ndjesë për votimin e këtij ligji, por është rreshtuar si mbështetëse e studentëve.

Nga ana tjetër kemi kryeministri Rama që kërkon dialog me studentët, duke postuar foto qesharake në instagramin e tij. Ai do të kalojë me të qeshur edhe gafat me Ligjin e Arsimit të Lartë, të denoncuara nga kritikët për 4 vite me radhë.

“Këshillat e fakulteteve, Senatet, Forumet e ndryshme të pavarura, si ai për Lirinë Akademike, apo Lëvizja për Universitetin, i kanë bërë një oponencë shhumë qelizore ligjit dhe kanë dhënë edhe variante alternative. Asnjë prej tyre nuk është marrë në konsideratë”, tha për Top Story pedagogu Mark Marku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA