Top Story, duke iu referuar ditës së parë të kësaj proteste e në vazhdim, sjell dokumentarin me titull “Pranvera e Studentëve”.

Përmes intervistave në terren me studentët, Top Story raporton pamundësitë e tyre ekonomike për të përballuar kostot dhe jetesën, apo dhe vështirësitë e tyre për të punuar dhe studiuar në të njëjtën kohë.

Top Story renditi dhe reagimet e kryeministrit Edi Rama kundrejt protestës, ku si fillim kryeministri i quajti ngelësa dhe më pas, kur situata trazoi jo pak qetësinë e kryeministrit, ky i fundit nxori në rrugë Lindita Nikollën për të folur me ta, e cila u refuzua nga ana e studentëve për dialogun që ajo kërkonte.

Përpjekjen e parë për të qetësuar situatën, Rama e bëri me anulimin e VKM-së për tarifat e provimeve të mbartura. Por kjo nuk mjaftoi. Mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria vijonin t’i bashkoheshin tubimit. Situata kishte dalë jashtë kontrollit. Studentët nuk pranonin bisedime, por vetëm plotësimin e 8 kërkesave të tyre.

Në disa raste kryeministri tentoi t’i japë ngjyrime politike, duke i cilësuar të rinjtë si anëtarë të partive politike opozitare. Dhe këtë qëndrim e përsëriste aq shpesh, vetëm e vetëm për të krijuar përçarje mes të rinjve.

Studentët kishin nisur të shihnin njëri-tjetrin me dyshim. Tentativat për përçarjen e protestuesve ishin prezente që nga dita e parë.

“Ka patur persona që duan ta prishin këtë gjë, por nuk mund tia dalin”, tha një studente e intervistuar nga Top Story.

“Janë përzënë nga studentët, ata njihen, janë fytyra të njohura, emrat e tyre se cilit forum i përkasin”, tha një tjetër student.

“Politika nëse nuk do hynte, për pak javë do të zhdukej e gjithë klasa politike, nëse nuk do ndërhynte”, tha pedagogu Erion Kristo.

Aq të angazhuar ishin militantët e Partisë Socialiste, sa në rrjetet sociale rodhën mesazhet që u dërgonin njëri-tjetrit për të komentuar negativisht kundër studentëve që protestonin. Makineria e propagandës ishte vënë në punë.

“Është hedhur e gjithë klasa barbare politike, për ta shkatërruar protestën, për ta përvetësuar, për t’i dhënë drejtimin që do”, tha për Top Story Erion Kristo, Pedagog.

Por, ndryshe nga përçarja që po krijonte Rama, kundërshtarët politik tentonin vazhdimisht për të marrë nën kontroll protestën. Militantë të Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim ishin infiltruar në radhët e protestës dhe herë pas here jepnin deklarata në media. Bashkë me 8 pikat, kishte studentë që kërkonin edhe largimin e qeverisë.

“Derisa t’i jepet zgjidhje, derisa kjo qeveri të zhduket, të shporret. Dhe të zgjidhen gjërat, të bëhet një normalitet, të kemi qejf të jetojmë këtu, e jo të shkojmë jashtë”, tha një student.

“Këto metoda staliniste që përdor opozita për protestën janë metoda që i heqin besimin opozitës dhe e shkatërrojnë protestën”, tha gazetari Enton Abilekaj.

Top Story tregon përmes disa fotove disa prej militantëve partiakë që u infiltruan në protestë. Ky është Gaetano Doçi, i njohur si eksponent i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gentian Gjonaj, një militant i Partisë Demokratike i fotografuar edhe në çadrën e protestës së Lulzim Bashës. Një tjetër militant i Partisë Demokratike, i cili duket në foto përkrah ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në disa imazhe të tjera, shfaqen sërish mbështetës të dy partive opozitare në shesh, që kanë tentuar nga dita e parë të kapin protestën.

Mes protestuesve kishte edhe shumë pedagogë të pranuar nga studentët. Ditët e para shquhej emri i pedagogut Rezart Prifti. Por, duket se qëllimi i tij ishte kapitali politik, pasi ai njihej si pjesëtar i strukturave të Partisë Demokratike.

“Pedagogët i mirëpresim, ata mund të vijnë, por ata nuk mund të flasin për pagat e tyre a i kanë apo si kanë të larta, mund të mbështesin vetëm kauzën tonë”, thotë një tjetër student.

“Sa herë që flamurin e ka marr opozita, gjitha protestat kanë dështuar, sepse opozita ka marr flamurin, ka kapur protestën për gryke dhe pastaj ka negociuar në emër të protestuesve për interesat e veta, jo për interesat e protestuesve”, tha Abilekaj.

Por, në protestë tentoi të marrë protagonizëm edhe një grup politik nga Kosova që pakujt i ra në sy. Studentëve shqiptarë iu bashkuan edhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, që njihen për protestat radikale dhe të dhunshme që shpesh herë kanë zhvilluar në Kosovë.

Pjesëmarrja e tyre në këtë tubim, mbetet e dyshimtë.

“Kam informacione që ka një ndikim nga çështja e vetvendosjes, për mua të gjithë le të protestojnë”, tha Kristo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA