SHBA, torturë në shkollë ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta

19/12/2018 10:13

Një shkollë në Shtetet e Bashkuara, besohet se është e vetmja në botë që në mënyrë rutinë godet me shok elektrik nxënësit si formë ndëshkimi.

Rreth 47 nxënës të Judge Rotenberg Center, në Canton të Masacusets, ku qëndrojnë fëmijë me nevoja të veçanta, janë aktualisht nën trajtim pasi janë goditur me rryma elektrike më të fuqishme se ato të shkarkuara nga armët trullosëse.

Aktivistët që mbrojnë fëmijët me nevoja të veçanta, janë përpjekur prej dekadash të pengojnë praktikën, që administratorët e shkollës e quajnë terapi aversive. Deri më tani, institucioni ka hedhur poshtë kritikat duke argumentuar se shoku elektrik është një mënyrë e pranueshme e dekurajimit të sjelljeve të dëmshme. Por tani, komisioni ndër amerikan për të drejtat e njeriut, ka lëshuar një paralajmërim zyrtar ku kërkohet ndalimi i menjëhershëm i procedurës.

Në një rezolutë shtatë faqeshe, paneli me bazë në Uashington thotë se praktika përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve vulnerabël në shkollë, veçanërisht të drejtës së tyre për integritet personal, dhe mund të konsiderohet torturë.

Shoku elektrik përdoret tek fëmijët e trazuar, që mbajnë një mekanizëm të vendosur në trup. Shkarkesa dërgohet në krahë, këmbë apo gjoks përmes elektrodave të vendosura në trup.

Kur një fëmijë sillet në një mënyrë që autoritetet e shkollës e konsiderojnë të dëmshme për veten apo të tjerët, ata i nënshtrohen shkarkesave elektrike që zgjasin deri në 2 sekonda. Ndëshkimi zbatohet nga personeli përmes kontrollit në distancë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA