Pas këmbënguljes së studentëve në lidhje me përmirësimin e kushteve në konvikte, një vendim i Këshillit të Ministrave, i miratuar më 12 dhjetor, ka vënë në lëvizje zbatimin e projektit për rinovimin e konvikteve në Kampusin universitar të Tiranës, bashkëpunim financiar ky i vitit 2017 mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane.

Por, nisja e punimeve për rikonstruksionin e banesave të tyre në mes të sezonit dimëror ka çorientuar studentët. Disa janë ende të paqartë se ç’do të ndodhë me ta, teksa godina rinovohet.

TCH: Do të qëndroni aty, apo do të shpërnguleni?

Studente: Nuk e di, nuk na kanë thënë gjë për këtë. Por, po punohet vetëm jashtë dhe brenda vetëm kati i parë. Të ishte aq rrënjësore, do të na kishin lajmëruar. Po është sa për të thënë që e bënë një punë. Nuk po bëhet ashtu siç duhet.

Irisi jeton në godinën me nr. 6 dhe tregon se janë vendosur përpara dy zgjedhjesh. Në këtë situatë kaotike, ai parashtron një mundësi të tretë, që sipas tij do të jetë më e mira.

“Tani sa pyeta te Drejtoria e Konvikteve dhe më thanë se varet nga sipër, urdhrat nga lart. Tha që s’ka dhoma të lira, edhe ato që janë do të punohet. S’e di hiç ç’do të bëhet, por mendoj se zgjidhja më e mirë është ta bëj vajtje-ardhje”, tha studenti.

TCH: Ku jeton ti?

Studenti: Unë, në Laç.

Që prej së enjtes ka nisur rikonstruksioni i godinave 5 dhe 6 të Rezidencës Studentore Universitare Nr.1 në Tiranë. Puna ka nisur vetëm për 2 konvikte, ndërkohë që janë 27 të tilla. Vihet re mungesa e një tabele orientuese, që të tregojë kohëzgjatjen e punimeve se kur do të përfundojnë ato, kush i kryen dhe cila është kostoja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA