Blloku i banimit në rrugën “Riza Cuka” ka filluar që të dalë në dritë.
Pas pastrimit të terrenit nga ndërtimet pa leje që kishin zaptuar hapësirën brenda këtij blloku, Bashkia e Tiranës po vijon me ritme të shpejta punën për rehabilitimin e tij, ku përfshihet krijimi i një lulishte të re dhe vendosja e stolave dhe e moduleve të ndryshme të lojërave për fëmijët e vegjël.
Sipas projektit, do të ndërtohet një shesh rekreativ për të gjitha moshat, ku hapësira do t’i dedikohen jo vetëm këndeve për fëmijë, por edhe grupmoshave më të rritura të cilët do të kenë mundësi që të qëndrojnë pranë gjelbërimit.
Ndërhyrja në këtë bllok parashikon dhe sistemimin e parkingjeve mes pallateve, ndriçimin e tyre dhe vendosjen e të gjithë sinjalistikës së nevojshme duke rritur sigurinë. Një kujdes i veçantë i është kushtuar dhe vendeve për kalimin e këmbësorëve në rrugë, për të mundësuar lëvizjen e lirshme të personave me aftësi të kufizuar, si dhe karrocave me fëmijë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur vendosmërinë që çdo lagje e kryeqytetit të ketë një kënd lojërash dhe hapësira çlodhëse për më të rriturit.
Top Channel