Në emisionin “Open” nga Eni Vasili, në ekranin e Top Channel, foli përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku. Ai deklaroi se është fakt që universiteti është sot shumë më shumë funksional, por efektet e Reformës në Arsim, për të cilin ka kontribuuar edhe vet Mazniku, do të duan kohë dhe vite për t’u ndierë plotësisht.
Mazniku bëri thirrje për nevojën e një dialogu mes studentëve dhe autoriteteve vendimmarrëse, pasi vetëm duke u ulur e duke biseduar me qeverinë, do të mund të bëhen edhe më shumë gjëra sesa kërkojnë studentët.
“Nuk mund të ecim përpara për të zgjidhur problemet dhe kërkesat që kanë studentët përmes një kakofonie zërash dhe opinionesh, siç ndodh edhe në studion tuaj mes të ftuarve, apo siç deklaroi edhe pedagogu Marka se kishte ndodhur në sheshin e protestës para Ministrisë së Arsimit”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.
Duke bërë analiza të kostos që paguhet nga populli për secilin student, Mazniku deklaroi se shumëçka është e mundshme për t’u përmirësuar, ndërsa sa i përket rritjes së buxhetit të arsimit, ai është pjesë e programit qeverisës deri në fund të mandatit.
Një student i ftuar në studio, i pyetur se përse nuk pranojnë tashmë të ulen për dialog, pas ftesës së disatë të kryeministrit Rama apo ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ai tha se “dialogu refuzohet sepse prej ditësh po shohim përpjekjet për infiltrimin e forumeve politike në protestë, për të përçarë studentët dhe për të nxjerrë jashtë kornizave kauzën tona”.
Studenti në fjalë deklaroi se kërkesat e tyre janë të qarta, ata nuk kanë përfaqësi dhe janë që të gjithë të barabartë, ndërkohë që nuk shohin të arsyeshme nëse ka vend për dialog apo jo, pasi sipas tyre kërkesat janë të realizueshme.
Top Channel