Me ftesë të palës ruse, kryeministri grek Alexis Tsipras ka mbërritur në Moskë për një vizitë zyrtare.

Qëllimi kryesor i takimeve të tij me presidentin Putin dhe homologun Medvedev është përpjekja e të dyja palëve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve, që në vazhdimësi kanë qenë të mira, por që kaluan një krizë të shkurtër verën e fundit, me dëbimet e ndërsjella të diplomatëve nga Athina dhe Moska.

Në një intervistë për kanalin “Russia 24”, kryeministri Tsipras thekson se gjatë të gjithë kësaj periudhe, pavarësisht nga vështirësitë që kaluan marrëdhëniet dypalëshe, ai ruan një marrëdhënie të vërtetë dhe një dialog të sinqertë dhe të ndershëm me presidentin Putin.

Ai pohon gjithashtu se, ishte zgjedhja e qeverisë së tij për të “shkrirë akujt” dhe për të thelluar marrëdhëniet greko-ruse, si pjesë e një politike të jashtme aktive dhe shumëëpërmasore.

Ky është takimi i katërt zyrtar Tsipras-Putin në 3 vitet e fundit. Më herët ka pasur dy vizita të kryeministrit grek në Rusi; më 8 prill 2015 në Moskë dhe më 19 qershor 2015 në Shën Pjetërburg; ndërsa më 27 maj të 2016-s ishte presidenti rus që vizitoi Athinën.

Temat kryesore në agjendën midis udhëheqësve do të jenë çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, e sidomos veprat në sektorin e energjisë, gazsjellësit “Turkish Stream” dhe ekonomisë rurale.

Kreu i qeverisë greke, pas takimit me Putinin dhe një dreke pune me të, pritet të nënshkruajë të paktën 7 marrëveshje dypalëshe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA