Pavarësisht tërheqjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke hequr pikën 4 që tarifonte çdo kredit të provimeve të bartura, në VKM-në e kundërshtuar ashpër nga studentët, të cilët prej dy ditësh mblidhen në protestë para kësaj ministrie, ata duket se nuk janë kënaqur me plotësimin e vetëm një prej kërkesave të tyre.
Në kryeqytet, studentë nga shumica e fakulteteve të Universitetit të Tiranës apo Politeknikut, marshuan për të tretën ditë me radhë rrugëve për të mbërritur në Ministrinë e Arsimit, me kërkesat e qarta për përgjysmimin e tarifave të studimit, përmirësimit të kushveve të konvikteve, sikurse edhe përfaqësimin në Bordin e Administrimit.
Protesta e studentëve në Vlorë
Në Vlorë, studentët e Universitetit “Ismail Qemali” kanë lënë sërish orët e mësimit për të protestuar jashtë ambienteve të universitetit, sikurse edhe në Elbasan, ku studentët janë mbledhur përpara “Aleksander Xhuvanit” dhe më pas do të nisen drejt Tiranës.
Protesta e studentëve në Elbasan
Edhe studentët e “Fan Nolit” të Korçës kanë hyrë në ditën e dytë të protestës. Ata kërkojnë tashmë plotësimin e kërkesave të tjera. Grumbullimi ka filluar në ambientet e jashtme të Korpusit universitar, me pjesëmarrjen e studentëve të fakulteteve të Ekonomisë, Edukimit dhe Bujqësisë.
Ndërkohë, studentët e fakulteteve të Shkencave Humane dhe atyre Natyrore kanë zgjedhur të protestojnë përpara fakulteteve respektive. Por, në Korçë, Këshilli Studentor u ka bërë thirrje edhe gjimnazistëve që t’i bashkohen protestës, edhe pse nuk kuptohet arsyeja për këtë.
Edhe studentët e Shkodrës janë bashkuar me protestat në mbarë vendin, ndërsa pedagogu Arben Prendi atje ka dalë në mbështetje të studentëve, madje deklaron se universiteti ka humbur autonominë dhe po kontrollohet nga qeveria. Sipas tij duhet hequr mesatarja për pranimin në universitet, pasi po shkakton mbylljen e shumë degëve.
Top Channel