Ish-deputeti Kastriot Islami, e ka quajtur Fatmir Xhafajn një vegël të Partisë së Punës për shkak të angazhimeve të tij në sistemin e drejtësisë gjatë komunizmit.
“Është një personazh, është një vegël e PPSH që Rama e ka përdorur me efikastitet deri në minutën e fundit”, tha Islami.
Por, mbështetja nga Rama duket se e kishte një kufi. Disa ditë pasi policia prangosi dy ish-deputetët socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka, gjatë operacioneve ndaj 4 grupeve kriminale, krejt papritur kryeministri Edi Rama njofton në rrjetet sociale dorëheqjen e Xhafajt.
“Thuhet se është detyruar të largohet për shkak, këtyre konjulturave që janë vendosur nga lufta e grupeve, bandave të Rilindjes”, tha Islami.
“Nuk besoj se ka qenë përplasje e hapur, por rruga që mori Xhafaj po shkonte drejt goditjes së atyre kokave të mëdha që quhen Padrino siç është rasti Dako apo siç është rasti i kryetarit të bashkisë së Elbasanit”, tha analisti Dritan Hila.
Tensioni u rrit më tej pas aksionit ndaj grupit të Avdylajve nga Shijaku. Njësoj si me Tahirin, edhe me kësaj here u shpërndan në media disa përgjime që implikonin Vangjush Dakon në pazare të votave me njërin prej pjestarëve të bandës së Avdylajve.
“Qasja e pakompromis që po bënte zoti Xhafaj edhe mund ta ketë trembur zotin Rama për goditjen ndaj kokave të larta të PS dhe e ka shtyrë tletë themi një presion që e ka shtyrë Xhafën në dorëheqje”, tha Hila.
Këto përgjime qëndronin prej më shumë se 1 viti në zyrën e Prokurorisë, por dolën pikërisht në momentin kur sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama ishin intesifikuar. Dukej si një luftë e brendshme mes klanesh, mes Xhafajt dhe Tahirit.
“Sot janë interesa të ngushta të grupeve që i lidh interesi i çastit por të jeni të sigurt që asnjë nuk është kundër zotit Rama, asnjë nuk guxon të dalë kundër udhëheqësit absolute dhe komandantit supreme që ua pret kokat”, tha Marko Bello.
“Ka dhe një gjë tjetër që kur hyn në një parti nuk i bën dot të gjitha siç i bëje përpara. Diskutojmë ne me njëri-tjetrin dhe thotë unë jam njeri i lirë. Jo, s’je njeri i lirë. Je njeri i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë, po s’je i lirë të dalësh atje dhe t’i gjuash shtëpisë ku jemi bashkë se s’ka kuptim”, thotë Rama.
Pikërisht për këtë arsye vjen largimi i papritur i Xhafajt si Ministër i Brendshëm. Ai i kishte dërguar kryeministrit Rama një letër dorëheqje pa asnjë motivacion. Këtë letër, Rama e ka përcjellë numri 2 i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.
Dy ditë para se Rama të njoftonte publikisht largimin e Xhafajt, zhvillohet një takim ku ishte i pranishëm edhe Ruçi. Top Story mëson nga burime konfidenciale se aty Xhafaj i ka shprehur pakënaqësi Ramës duke pretenduar se nuk ka pasur mbështetjen e duhur të qeverisë.
Në ato momente, Rama ka ngritur tonet duke e shkarkuar në vend dhe duke e nxjerrë nga zyra. Në këtë debat nuk ka mundur të ndërhyjë as Gramoz Ruçi, i cili thuhet se e kishte bërë ai Xhafajn Ministër të Brendshëm.
Analisti Baton Haxhiu, i njohur për afrimitetin me kryeministrin Edi Rama, duket se lë pak dyshime mbi pyetjen nëse Xhafaj u largua apo e larguan. Në studion e “Open” ai zbulon se Xhafaj u shkarkua.
“Për shkak të sondazheve, që kërkonin që 76% e njerëzve në Shqipëri, i kryer dy javë më herët, kanë kërkuar që Xhafaj duhet të ikë. Dhe kjo është arsyeja që një kryeministër, kur njerëzit kërkojnë largimin e një njeriu, ai detyrohet dhe i thotë që opinioni publik nuk do”, deklaroi Baton Haxhiu.
Top Channel