Studentët e Politeknikut tashmë nuk janë të vetëm. Në ditën e dytë, protestës së studentëve të Fakultetit të Arkitekturës, Urbanistikës dhe Inxhinierisë së Ndërtimit u janë bashkuar edhe studentë të fakulteteve të tjera. Ata kërkojnë anulimin e vendimit që tarifon kreditet për provimet përsëritëse.
Revolta e studentëve doli jashtë dyerve të universiteteve dhe shkoi pranë Ministrisë së Arsimit. Hedhjen e stilolapsave studentët e quajtën akt simbolik, si dhe zemërimin e akumuluar me jetën universitare e shprehën me gjuajtjen e godinës së ministrisë me vezë.
Zv/ministrja e arsimit, Besa Shahini, doli jashtë godinës duke kërkuar një përfaqësi nga studentët për të dëgjuar kërkesat e tyre.
“Çdo përfaqësues që mund të futet aty është i shantazhueshëm. Cilido nga ne mund të pësojë presion po u fut aty. Ne nuk futemi aty. Ajo që kemi për të thënë ne është ky takimi këtu”, thanë studentët.
Dhe u largua pa u rënë në dakordësi. Vendin e saj e zëvëndësoi një qytetar i thjeshtë, që përgëzoi reagimin e studentëve.
Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në një deklaratë për mediat ka reaguar për protestën: “Kërkojë anulimin e një pike të një VKM-je, por që nuk ka hyrë në fuqi për këta studentë”.
Edhe kryeministri Edi Rama në Twitter, në mbështetje të fjalës së ministres Nikolla, i ka pasuar përgjegjësinë universiteteve që të rishikojnë vendimin e Këshillit të Ministrave.
Top Channel