Një gomone me 1.500 kg drogë, përzierje mes marijuanës dhe hashashit, është kapur mëngjesin e kësaj të shtune në brigjet puljeze të Brindisit, ndërsa dy të rinj vendas janë arrestuar teksa shkarkonin sasinë e narkotikëve nga mjeti lundrues.
Ndërhyrja është kryer nga karabinierët e Monopolit, në vazhdën e operacioneve të intensifikuara të kontrollit dhe parandalimit të trafikut të narkotikëve.
Nga sa informojnë mediet italiane, forcat ushtarake që ishin në monitorim të vazhdueshëm të vijës bregdetare nga Bari deri në Brindisi, kishin pikasur aktivitetin e paligjshëm që shpesh përdor pikërisht itinerarin e detit Adriatik për t’iu afruar brigjeve puljeze, kryesisht nisur nga Shqipëria apo edhe vende të tjera të Ballkanit.
Trafikantët kishin mbërritur në bregdetin e “Torre Canne”, aq shumë të preferuar prej turistëve për plazhet e famshme, në bordin e një gomoneje 15 metra të gjatë, me dy motorë të fuqishëm prej 300 kuajsh fuqi, siç është bërë tashmë e zakontë për trafikantët që transportojnë drogë përmes Adriatikut.
Top Channel