Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim tre gjyqtarët e Apelit Durrës, Kliton Spahiu, Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri, për veprën penale “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të Drejtësisë”.
Po ashtu, për këtë vepër penale do të gjykohet edhe shtetasi Namik Sadiku, për veprën penale “korrupsion aktiv të gjyqtareve, prokuroreve apo punonjësve të tjerë të drejtësisë ” të parashikuar nga neni 319 I Kodit Penal. Gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno kanë zhvilluar dy udhëtime, njëri prej të cilëve në Spanjë për të parë ndeshjen e futbollit mes Real Madrid dhe Barcelonës, në 2014.
Rasti që po hetohet nga prokuroria implikon gjyqtarët e Apelit të Durrësit me biznesmenin Namik Sadiku dhe ka të bëjë me një çështje gjyqësore midis këtij të fundit dhe ish-ortakut të tij, Oliver Ushina.
Ushina kishte paditur Namik Sadikun për ndërtimin e një pallati 10-katësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës, çështje të cilën ai e fitoi në shkallën e parë. Por vendimi u rrëzua nga Gjykata e Apelit me ndërhyrjen e treshes Spahiu, Dhimitri dhe Çeno, i pari në cilësinë e relatorit dhe dy të tjerët anëtarë të trupit gjykues.
Më pas të tre gjyqtarët kanë shkuar dhe kanë parë derbin “El Clasico” në Spanjë bashkë me Sadikun, i cili dyshohet se ka mbuluar të gjitha shpenzimet.
Top Channel