Gazetarja e Top Channel, Alma Demiraj është gjendur këtë të martë në familjen Isufaj, shtëpia e të cilëve preket nga projekti i “Unazës së re”. Ata kanë ardhur nga Skrapari dhe kishin ndërtuar pranë rrethrrotullimit te “Shqiponja”.

Por, një ditë më parë shtëpia e tyre u prish dhe ata kanë pranuar të strehohen në banesat sociale, me bonusin që ofron Bashkia e Tiranës për 3 vite.

“Pa leje e kishim ndërtuar, e kishim në proces legalizimi. Nuk e legalizuam, edhe pse prisnim dhe na doli edhe emri në gazetë në vitin 2010. Na thonin se do të na vinte zarfi te posta, por kur shkonim të kontrollonim, deri në momentin e fundit s’pati asgjë”, thotë Violeta Isufaj.

Më tej ajo shprehet se gjithçka e kishin bërë vet.

“Vet gjithçka. Keq na erdhi, por na thanë që të interesoheshim për shtëpi me qira, sepse do të na jepte Bashkia bonus për tri vite. U interesuam, na dhanë të dhënat se çfarë dokumentesh duheshin. I mblodhëm të gjitha dhe i dorëzuam. Më pas na lajmëruan duke na thënë se kishin menduar të na jepnin një shtëpi, banesë sociale”, shprehet më tej zonja Isufaj.

Por si i duken asaj kushtet e shtëpisë?

“Shumë mirë, e morëm dhe jemi të kënaqur. Kjo shtëpi ku jemi vendosur i plotëson të gjitha kushtet”, tha Violeta Isufaj.

Sipas Bashkisë së Tiranës, janë pothuajse 50 familje të tjera, të cilat kanë pranuar të shkojnë e të strehohen në banesat sociale përkundrejt bonusit që ofrohet nga kjo bashki për 3 vite. Më pas, këto familje – sipas bashkisë, – do të kenë prioritet për kreditë e buta dhe për bonuse të tjera që mund të ofrohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA