Ka dështuar këtë të martë procesi gjyqësor për vrasjen e të riut Marvi Mihali, i cili mbeti viktimë e një konflikti për një karikues celulari me vlerë 500 lekë të reja.
Shkak për shtyrjen e seancës janë bërë avokatët mbrojtës të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dejvis Bitraj, si dhe avokati i të pandehurve Klidens dhe Marsel Allës. Ata paraqitën në gjykatë kërkesat për shtyrje, shoqëruar me bileta avioni për udhëtime jashtë shtetit.
Kryesuesi i trupës gjyqësore, Sokol Tona, nuk i mori parasysh këto kërkesa, duke deklaruar se nuk janë legjitime dhe për rrjedhojë qëllimi kryesor ishte për të zvarritur procesin që është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të kërkuar nga prokuroria.
Për këtë arsye, gjykata caktoi avokat kryesisht për tre të pandehurit, por pavarësisht kësaj, senaca e kësaj të marte dështoi, për t’i lënë kohë avokatëve të caktuar që të njihen me dosjen.
Sakaq, në këtë seancë gjykata vendosi që të thërrasë forcërisht me anë të shërbimeve policore në seancën e radhës edhe dëshmitarin Besim Sokolaj, i cili edhe pse kishte marrë dijeni, nuk ishte paraqitur për të dëshmuar.
Ndërkohë, prindërit e të ndjerit, Marvi Mihali, të cilët janë legjitimuar si palë në këtë proces penal, i kërkuan trupës gjyqësore që të pyeten edhe ata në këtë proces, kërkese e cila është pranuar nga gjykata, por ende nuk është caktuar seanca se kur do të zhvillohet marrja e deklarimeve.
Top Channel