Operacioni “Forca e Ligjit” është shtrirë në këtë fundjavë në jug të Shqipërisë, në qytetin e Sarandës, aty ku janë arrestuar 3 persona dhe sekuestruar 32 kg lëndë narkotike e llojit kanabis.
Në vijim të kontrolleve të befasishme të policisë sarandiote, efektivët ndalën një automjet “BMW X5” në lagjen Nr. 4 në Sarandë, ku konstatuan në bagazh një sasi narkotike të dyshuar hashashi me peshë 32 kg.
Mjeti drejtohej nga shtetasi E.K., 31-vjeçar i lindur dhe banues në Tepelenë, ndërsa policia iu vuri prangat edhe dy shtetasve të tjerë, të dyshuar si të implikuar dhe autorë përgjegjës në lidhje me këtë ngjarje. Ata janë S.Ç., 27 vjeç nga Elbasani, me banim në Tepelenë, si dhe 25-vjeçari A.P. nga Tepelena, ky i fundit me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan jo vetëm BMW-ja, por edhe një Mercedes Benz dhe 5 aparatë celularë. Të arrestuarit do të procedohen tashmë nga prokuroria për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.
Top Channel