“Dëgjova çudira me ca trimosha të BKH”, Rama: Erdhën në Kryeministri dhe nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores
Në kuadër të aktivitetit të reformës së titujve të pronësisë të mbajtur me kryeministrin Edi Rama në Libofshë të Fierit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj shoqëruar edhe nga dy drejtorët e përgjithshëm, të ZRPP, Valdrin Pjetri dhe ALUIZNI-t, Artan Lame zhvilloi gjithashtu një analizë pune me stafet e dy institucioneve që do të shkrihen brenda Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, institucioni përgjegjës për administrimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, si dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Gjonaj u fokusua tek puna zinxhir që do të duhet të kryejnë dy institucione që tashmë do të funksionojnë si një i vetëm.
“Nesër do jetë një zyrë, një agjenci e unifikuar, e institucionalizuar e cila nuk do të ketë më thjesht vullnetin apo edhe zbatimin e disa ligjeve të ndryshme për të bashkëpunuar në këto procese por do të konsideroheni të gjithë bashkë si një e vetme. Kemi premtuar që me këtë paketë ligjore qytetarët do marrin shërbim më të mirë brenda një kohe më të shkurtër si dhe do të ulet barra burokratike e dokumenteve që kërkohen nga institucionet shtetërore”,- u shpreh ministrja.
Gjonaj tha se, me miratimin në Kuvend të kuadrit të ri ligjor do t’i jepet zgjidhje njëherë e mirë problematikave të mbartura me regjistrimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore.
Ministrja Gjonaj e vuri theksin tek rëndësia e procedurave, tek ofrimi i shërbimeve drejtuar qytetarëve, tek rastet korruptive dhe në abuzim me ligjin.
Konkretisht, ministrja Gjonaj sqaroi se pritet miratimi në Kuvend i dy pr/ligjeve që do shënojnë një kapitull të ri me pronat.
Ministrja e Drejtësisë këshilloi stafin e këtyre institucioneve t’ju kushtojnë rëndësi ankesave që vijnë nëpërmjet portalit të bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al, pasi është mekanizmi i besimit tek qeveria.
Top Channel