Dy kandidatët e fundit për KLP, Shpëtim Kurti dhe Besnik Cami do të dalin ara komisionit të kualifikimit brenda kësaj jave.
Siç thuhet në kalendarin e KPK, prokurori Besnik Cani ka seancë ditën e premte, n datën 23 nëntor, ndërkohë që kandidati tjetër Shpëtim Kurti del të enjten, në datën 22 nëntor. Gjithashtu edhe kandidati i fundit që synon këshillin e lartë gjyqësor, Luan Dervishi del brenda kësaj jave, në datën 23 nëntor në orën 12. në këtë mënyrë me një kalendar të ngjeshur do të mbyllet verifikimi i trefishtë për të gjithë garuesit për në organet e reja të vettingut.
Gjatë ditës së sotme dolën në seancë dëgjimore edhe Fjona Papajorgji që është këshilltare ligjore si edhe Enton Dhimitri, anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilit i përfundon mandati në fillim të muajit dhjetor. Nga KED shkalla e parë e vettingut shkarkoi shtatë anëtarë, duke e kthyer këtë organ si jo ekzistues.
Pa llogaritur të gjithë ata që dhanë dorëheqjen menjëherë sapo hyri në fuqi procesi i Vettingut, që prej muajit mars i janë nënshtruar procesit të hetimit administrativ të trefishtë, 60 gjyqtarë dhe prokurorë, prej të cilëve 33 janë konfirmuar në detyrë dhe 27 të tjerë janë shkarkuar.
Në fakt nëse do të respektohej ligji, SPAK dhe GjKKO duhet të kishin nisur punë vjeshtën e kaluar. Krijimi i tyre është ende larg, përderisa prokurorët e posaçëm emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe gjyqtarët nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që të dyja ende të papërfunduara, përsa kohë komisionerët e Vettingut nuk kanë përfunduar kontrollin edhe për 3 pretendentë.
Nga 14 gjyqtarë pretendentë për në Këshillin Gjyqësor, janë konfirmuar në detyrë 10 prej tyre. Pa kryer asnjë funksion, po i mbyllet mandati një vjeçar edhe KED-së së radhës, të cilës iu shkarkuan nga Vettingu shumica e anëtarëve, duke humbur në këtë mënyrë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
Top Channel