Një pjesë e ndërtimeve në Unazën e Re që do shkatërrohen nga ndërtimi i rrugës, do dëmshpërblehen. Ato rezultojnë se janë me dokumente të rregullta dhe pronarët kanë marrë informacionin e duhur. Pjesa tjetër janë pa leje. Në listën e pronareve që kanë ndërtime pa leje rezultojnë edhe persona që kanë deri në 7 ndërtime të ngjashme në qytete të ndryshme të vendit dhe nuk janë aspak të pastrehë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpjeguar se janë verifikuar mbi 102 ndërtime, të cilat kanë dokumente të rregullta në anën e Unazës së re. Ato do të shkatërrohen, por do të kompensohen të gjithë pronarët.
Rezultojnë 102 objekte me dokumente pronësie, 135 në proces legalizimi dhe 5 objekte që nuk kemi informacion. Deri më sot janë paraqitur 38 kërkesa zyrtare nga qytetarë që kanë marrë një përgjigje zyrtare. Mbi 60% e qytetarëve që janë të prekur nga ky projekt, ka zhvilluar takim pranë ARRSH-së. Sa u përket objekteve që janë në proces legalizimi do të trajtohen nga Bashkia Tiranë me bonus qeraje për tre vite, ose me banesa sociale”, u shpreh Hotla Deda, ARRSH.
Një pjesë e madhe e banorëve të zonës rezultojnë të kenë marrë informacion në lidhje me procesin e kompensimit. Por ARRSH e ka zbuluar se një grup personash nuk janë aspak të pastrehë, ata kane disa objekte te ndryshme, pjesa me e madhe pa leje në disa qytete të vendit.
“Nga një analizë e deklarimeve të raportit të ALUIZNI-t, rezulton se ka persona që kanë më shumë se një ndërtesë në disa qytete, kryesisht në Tiranë”, shpjegon Hotla Deda, ARRSH.
Në të gjitha ndërtimet janë vendosur shenjat e shembjes, ndërsa banorët po protestojnë.
Top Channel