Për shkak të motit të keq, me reshje bore dhe erë të fortë kryesisht në zonat malore, rrjeti elektrik i shpërndarjes ka pësuar defekte që kanë penalizuar abonentët me mungesë të energjisë elektrike.
Megjithatë, OSHEE ka marrë të gjitha masat në këtë situatë të krijuar, duke angazhuar në terren grupet kundër avarive, të pajisur me bazën materiale të nevojshme për riparimin e defekteve.
Rajoni më i prekur nga moti i keq ka qenë zona e Korçës, ku janë konstatuar përcjellës të këputur të linjës 35 kV, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh. Si pasojë e terrenit malor, brigadat e punonjësve të OSHEE-së e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë në zonat e thella.
Me ndalimin e reshjeve dhe pastrimin e rrugëve nga borëpastrueset, mëngjesin e kësaj të hëne ka rinisur puna në terren. Sipas informacionit të orës 10:00, është normalizuar situata e furnizimit me energji në zonën e Dardhës, Voskopojës, Fushë-Maliq, Podgorie, Sheqeras, Bitinckë, Komuna Qendër.
Gjithashtu, energji ka marrë Dogana e Kapshticës, si dhe është vendosur në punë linja 35 kV Maliq-Lozhan, që kishte përcjellës 35 kV të këputur. Është normalizuar furnizimi me energji i nënstacionit Lozhan dhe kanë marrë energji komuna Moglicë dhe Hecet (Strelca, Verba).
Aktualisht janë pjesërisht pa energji fshatrat: Stravaj, Mjeshovë, Cakran, Kumë, Lekbibaj, Fajza, Kacinar, Luf, Vithkuq, Trebinjë, Miras, Progër, Velçan, Lozhan, Voskop, Liqenas, Hocisht, Ploçisht, Drenovë.
Top Channel