Nënë Havaja qëndron jo me shpresën se sa njerëz do të blejnë më lule, por me dhimbjen e djemve të saj, të cilët nga Tepelena emigruan në Greqi para shumë vitesh, që në 92’ të hidhnin themelet e para të jetës në Tiranë.

“Ku janë djemtë? Djemtë dukeshin si zogj. Menduam të bëjmë shtëpi në Tiranë. 3 kate shtëpi i ngritën, u bënë. Punojnë me këto lule dhe me këto rrecka”, thotë nëna.

400 metra katrorë sipërfaqe të shtëpisë së familjes Shehu kanë pritur prej 12 vitesh të marrin legalizimin dhe në të gjitha fushatat elektorale u është premtuar që do e merrnin një të tillë. Ndërkohë që, papritur, sakrificat e bëra për të ngritur shtëpinë do të shemben.

Gramoz Shehu tha: “Jam vetëdeklaruar në 2006, nuk kam asnjë lloj letre për këtë shtëpi. Tani vjen ai e më thotë nga një vit do ta bëj 3 atë bonon e qirasë. Me 3 milionë e ca lekë ku do të shkoj unë? 3 vjet është jeta?”

Më 1 nëntor, punonjësit e ARRSH-së u dhanë 15 ditë kohë kësaj familjeje të largohen nga shtëpia, e cila mori vulën si një nga 242 ndërtesat që do të prishen për shkak të projektit “ Rehabilitim Mbikalimi Unazës së re”.

“I lutem shtetarëve të mos bëhen shurdh se u është dhënë vota nga ky popull dhe asnjëri nuk denjon të flasi këtu me ne”, shton Gramozi.

Ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar në një deklaratë për mediat u bën thirrje të gjithë banorëve që preken nga projekti të paraqiten pranë institucionit të ARRSH-së dhe Drejtorisë së Planifikimit Strategjik me të gjitha dokumentet përkatëse.

Njoftohet se 70% e pronarëve të banesave që duhet të shemben kanë shkuar për të marrë informacion, e megjithatë protestat në rrugë vazhdojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA