Ndërtesa e Gjykatës së Lartë është kthyer në një depo dosjesh që nuk dihet se kur do shqyrtohen. Janë 30 mijë dosje pezull të vendosura në salla, korridore dhe zyrat e gjyqtarëve. Çdo ditë paraqiten 50 kërkesa për gjyqe ndërsa dhjetëra mijë persona janë në pritje të radhës prej disa vitesh.
Prej dy dekadash Enver Isufi endet gjykatave në kërkim të drejtësisë. Një banesë 74 m2 në Tiranë që iu la trashëgimi nga i ati, u kthye në mollën e sherrit gjyqësor mes tij dhe të vëllait.
Të dy ata shpresuan se gjyqësori do t’ua pjesëtonte pasurinë në mënyrë të tillë që të dy të mbeteshin të kënaqur. Por kur peshorja e njërës gjykatë jepte një vendim, vëllai tjetër ankohej në Gjykatën më të lartë. Pesë vite më parë në apel fitoi Enveri, por i vëllai dorëzoi rekurs dhe që prej atëherë Gjykata e Lartë s’ka shpallur ende datë gjyqi.
Gjykata e Lartë e bllokuar, kthehet në depo me 30 mijë dosje
Por stoku i dosjeve qe presin për t’u gjykuar po shkon 30 mijë. Problemi është mbartur në vite dhe se fundmi doli në sipërfaqe përsa kohë që Gjykata Supreme ka mbetur vetëm me 4 anëtarë.
Aktualisht Gjykata e Lartë shqyrton çështjet urgjente dhe kalendari i ka mbetur në 2014.
Çdo ditë regjistrohen 50 çështje të reja, një prurje e lartë krahasuar me 100 në javë që mbyllen. Ndaj ambientet e brendshme tashmë i ngjajnë një magazine të madhe ku depozitohen pambarimisht dosje.
Në situatën ku gjendet drejtësia, postulati: Drejtësi e vonuar drejtësi e mohuar nuk ka më kuptim. Gjykata e Lartë nuk ka me vend për të arkivuar dosjet, ndaj edhe zyrat e gjyqtarëve janë përshtatur si mini arkiva.
Në këto kushte që prej muajit shtator, Gjykata e Lartë ka kërkuar ndihmë nga një institucion tjetër për të sistemuar dosjet e rekursit.
Top Channel