Në një bashkëbisedim me të rinjtë në Berat, lideri i opozitës u bëri thirrje të rinjve të bashkohen me opozitën, të ngrenë zërin kundër të keqes që po drejton vendin.
“Një shoqëri e lirë reagon, kur i bëhet një padrejtësi. Kur shteti kthehet në dhunues të ligjit, siç po ndodh tek Astiri, qytetarëve u lind e drejta të kërkojnë të drejtën e tyre për të zmbrapsur të keqen. Edhe para 50 vjetësh, diktatura ishte pakicë dhe përdorte frikën kundër popullit. Që ata ishin pakicë, e kuptuam, kur u bëmë së bashku. Diktatura më e egër në Europë u dorëzua përballë bashkimit të qytetarëve. Nuk ka nevojë për veprime heroike. Rëndësi ka të çohemi e të bashkohemi. Sikur vetëm rinia e Beratit të çohet, të jeni të sigurt se e keqja merr goditje vdekjeprurëse. Nuk ka mjaftueshëm pranga për të gjithë popullin, nuk ka mjaftueshëm policë për të gjithë popullin, nuk ka mjaftueshëm qeli për të gjithë popullin”- u shpreh lideri i opozitës në takimin me të rinjtë në Berat.
Lulzim Basha garantoi të rinjtë se, në kontrast të thellë me ata që qeverisin sot, atij dhe PD nuk i mungon as plani, as vizioni, as vullneti për ta kthyer çështjen e rinisë si prioritetin absolut të qeverisë së ardhshme të PD.
Top Channel