Gjatë një takimi të zhvilluar me strukturat e LSI-së në qytetin e Shkodrës, kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi ka deklaruar se, tashmë që Edi Rama ka të gjithë tepsinë për vete ka dalë në pah e është evidentuar edhe më shumë kontributi dhe angazhimi i LSI-së për t’iu gjendur në krah dhe për t’iu shërbyer njerëzve.
Përmes një shembulli të kohës kur LSI-ja ishte në bashkëqeverisje me PS-në, Kryemadhi tha se, kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga LSI-ja, 800 fermërë përfituan projekte vetëm në një vit në rrethin e Dibrës, teksa tani që kjo ministri drejtohet vetëm nga “Rilindja”, në Qarkun e Dibrës është fituar vetëm një projekt.
“Sot ai ka mundësinë t’i ketë të gjitha vetë, edhe kazanin, edhe çorbën, edhe tepsinë, edhe byrekun, edhe garuzhden, edhe shushunjat. Kjo tregoi që kontributi i LSI-së në qeverisjen e kaluar ka qenë jashtëzakonisht i madh, ka qenë një qeverisje, që me kushtet me të cilat ajo drejtonte, ministrat e LSI-së kanë qenë njerëzit të cilët kanë bërë më shumë se kushdo tjetër, edhe pse kryeministri me vendimet që merrte i sabotonte në punën e tyre. Po marr si shembull Ministrinë e Bujqësisë, ku siç thashë, dje kthehesha nga Dibra. Vetëm në një vit, Ministria e Bujqësisë në rrethin e Dibrës kishte dhënë 800 projekte për pemtarinë, ndërsa në 2018-n Ministria e Bujqësisë, të cilën e ka të gjithën Edi Rama u kishte dhënë vetëm një projekt fermerëve të Dibrës për pemtarinë. Shikoni ndryshimin midis qeverisjes së një institucioni të drejtuar nga LSI-ja me ato institucione që drejton Rilindja. 800 fermerë, 800 familje kanë marrë subvencion nga ministria që drejtonte LSI-ja në një vit, ndërsa tepsia e Edi Ramës u kthye vetëm për veten e tij, apo për oligarkët e tij, dhe vetëm një fermer në Dibër ka marrë projekt në pemtari”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së u ndal dhe te kontributi i LSI-së në drejtimin e Ministrisë së Integrimit.
“Ministria e Integrimit ka qenë një nga institucionet e drejtuara nga LSI-ja, e cila gjatë mandatit të saj i dha mundësinë Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa sot Edi Rama jo vetëm që nuk ia krijon mundësinë Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por të jeni të bindur që shumë shpejt Shqipëria ka për të hyrë në listën për rikthimin e vizave. Kjo është e tmerrshme dhe kriminale”, tha Kryemadhi.
Top Channel