Zjarret në nëntor vazhdojnë ende. Flakët kanë përfshirë së fundi masivin pyjor të Shebenikut në Librazhd ku dyshohet se zjarrëvenia është e qëllimshme. Ndërsa në Konjat të Lushnjës pasditen e së enjtes flakët rrezikuan edhe një pikë karburanti.

Prej 10 ditësh tashmë pyjet e Rrajcës, në Parkun Kombëtar të Shebenikut janë përfshirë nga flakët, zjarr i cili favorizohet edhe nga kushtet e motit. Deri tani zjarri ka prekur 50 ha pyje ahu ku fatkeqësisht nuk ka shpëtuar as pjesa e trashëgimisë botërore UNESCO. Në terren, duke u përpjekur të mbajnë zjarrin nën kontroll janë ekipi i ADZM Elbasan, ushtria dhe reparti zjarrfikës i Prenjasit.

Ndërhyrja nga ajri ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë që e ka bërë të vështirë fluturimin. Shtimi i forcave të ushtrisë shihet si zgjidhje e pjesshme për mbajtjen nën kontroll të flakëve, ndërkohë që puna më e madhe për të shpëtuar pyjet, tashmë pjesë edhe e trashëgimisë botërore i mbetet natyrës.

Zjarri është sipërfaqësor dhe sipërfaqja pyjore nuk ka dëme të mëdha, por në një zonë ku pyjet e ahut ishin të virgjëra dhe i gjithë terreni përbënte një laborator të gjallë për florën dhe faunën demi është i konsiderueshëm.

Zona e përfshirë nga flakët është shumë larg fshatrave dhe ende më shumë larg infrastrukturës rrugore, hyrja në këtë zonë është rreptësisht e ndaluar, ndaj të gjitha rrugët të çojnë në një zjarrvënie të qëllimshme. Administrata e Zonave të Mbrojtura në Elbasan i bën thirrje të gjitha organeve kompetente të marrin masa për vënien e autorëve para përgjegjësisë.

Një tjetër zjarr është regjistruar pasditen e se enjtes ne Konjat të Lushnjës, pjesë e njësisë administrative Dushk. Disa vatra zjarri kanë rëne njëkohësisht dhe të ndihmuar nga era përfshin një sipërfaqe mbi 2 hektarë, të mbjella kryesisht me ullinj dhe pemë frutore.

Zjarri shkaktoi panik pranë një pike karburanti ku për të shmangur çdo rrezik u dislokuan forcat e zjarrfikseve. Për vënien e zjarrit nën kontroll ndihmuan edhe banorët të zonës. Policia ende nuk ka një pistë zyrtare për zjarrin, por nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë i qëllimshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA