Procesi i derregullimit dhe dixhitalizimi i shërbimeve publike, të ndërmarra nga qeveria shqiptare si instrumente të rëndësishme për uljen e nivelit të korrupsionit, kanë marrë vlerësime pozitive në konferencën.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ishte pjesë e konferencës, me ftesë të Përfaqësueses Speciale të Kryesisë italiane të radhës së OSBE-së për luftën kundër korrupsionit, Paola Severino.
Gjatë punimeve të konferencës u vlerësuan si efikase dhe me rezultate konkrete nismat e qeverisë shqiptare për derregullimin dhe përdorimin e inovacionit në shërbimet publike. Sipas tyre këto nisma po japin ndikimin e tyre në minimizimin e hapësirave për korrupsion në administratën publike.
Gjatë fjalës së saj ministrja Gjonaj konfirmoi prioritetin absolut të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe prezantoi reformat e thella që janë ndërmarrë në funksion të kësaj lufte si dhe të forcimit të shtetit ligjor.
“Ne jemi duke zbatuar një reformë të thellë e gjithëpërfshirëse në drejtësi, e cila reflekton standardet e BE-së dhe po jep rezultate konkrete në përpjekjet tona për t’u dhënë qytetarëve një sistem gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe të paanshëm. Po përgatitemi për të ngritur institucione të posaçme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, që përfshijnë gjykatat e posaçme si dhe strukturën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK), e cila ka në përbërje Prokurorinë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”, është shprehur ministrja Gjonaj.
Ministrja Gjonaj është shprehur se Qeveria e Shqipërisë e konsideron inovacionin dhe derregullimin e shërbimeve si një mjet substancial për të luftuar korrupsionin. Sipas saj, një shumëllojshmëri prej 575 shërbimesh publike, që më parë kanë qenë në dispozicion të qytetarëve vetëm me mjete tradicionale, tashmë janë të disponueshme edhe në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, të aksesueshëm nga telefoni celular, kompjuteri, kioska dixhitale etj.
Duke iu referuar procesit të Integrimit Evropian, ministrja Gjonaj është shprehur se janë ndërmarrë një sërë hapash. “Miratimi i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, Ligjin mbi Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, Detyrimet Financiare të Personave të Zgjedhur dhe disa Zyrtarëve Publikë, Ligjin Anti-Mafia dhe Ligjin mbi Financimin e Partive Politike janë hapa vendimtarë në luftën kundër korrupsionit, të pranuara edhe nga raporti i fundit i GRECO-s, i cili është i lidhur ngushtë me sistemet inovative të komunikimit, për më shumë transparencë dhe bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar”, ka deklaruar Gjonaj.
Top Channel