Më herët, Top Channel dha lajmin se ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski u arratis nga vendi i tij për t’i shpëtuar arrestimit, duke kaluar nga Shqipëria, ndërsa tashmë ky lajm është konfirmuar edhe nga Policia e Shtetit.
Gruevski hyri ilegalisht në Shqipëri e doli nga Hani i Hotit
Me anë të një deklarate për mediat, Policia bën të ditur se shtetasi “Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”.
Më tej në deklaratë “thuhet se në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, mbyllet njoftimi i policisë.
Ndërkohë, në deklaratë nuk bëhet e ditur se kur dhe nga ku Gruevski është futur në vendin tonë.
Top Channel