Bushati: KSA Shqipëri- BE konfirmoi stadin e reformave

15/11/2018 12:45

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, një ditë pas takimit të 10 të Këshillit të Stabilizim Asociimit në Bruksel, i bëri sërish apel opozitës për të qenë pjesë e proceseve të rëndësishme për integrimin e vendit, dhe që “nuk kanë të bëjnë me fatet politike të partive”, por me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, Bushati tha se bëhet fjalë për një kalendar të përbashkët për miratimin dhe zbatimin e reformës zgjedhore dhe miratimin e zbatimin e elementëve të reformës në drejtësi.

“Është e pakuptueshme për çdo qytetar të zakonshëm të këtij vendi siç është po ashtu e pakuptueshëm për çdo partner europian që e mbështet Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE, refuzimi i opozitës parlamentare për ti dhënë mundësinë shkollës së Magjistraturës për të furnizuar më shumë sistemin e ardhshëm të drejtësisë në burime më serioze në këtë drejtim, burime që nuk preken apo nuk mund të preken nga virusi që ka prekur sistemin tonë të drejtësisë. Është gjithashtu e pakuptueshme për çdo qytetar të zakonshëm të këtij vendi, por dhe të çdo partneri europian që na mbështet në këtë proces për të kuptuar refuzimin, baltën e opozitës ndaj procesit të vetingut, i cili në fund të ditës është një proces pastrimi radikal i Pallatit të Drejtësisë dhe rikthimit të besimit të njerëzve tek institucionet e shtetit të së drejtës”, tha Bushati në fjalën e tij.

Ai informoi deputetët për takimin e 10 të KSA në Bruksel, ku tha se u konfirmua pozicioni i qartë, kontributi aktiv dhe dinamik i Shqipërisë në rajon, linjëzimi 100 % i politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE, kontributi për paqe, stabiliteti demokratik dhe prosperitet i Shqipërisë i cili në asnjë moment nuk është vendosur në pikëpyetje.

“Gjithashtu, Këshilli i Stabilizim Asociiimit Shqipëri- BE konfirmoi stadin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, kryesisht reformës në drejtësi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke qenë se vetë vendet anëtare të BE në qershor të këtij viti përcaktuar një kalendar të qartë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, sikundër dhanë dritën e gjelbër për fillimin e punës përgatitore, po siç quhet ndryshe në gjuhë teknike procesi “screening”, proces i cili ka filluar, proces molekular ndërmjet Komisionit Europian nga njëra anë dhe administratës publike shqiptare”, tha ai.

Duke folur për projektligjin Bushati tha se synohet që të lehtësohet më tej prania “e nismave të tilla rajonale në Tiranë, si pjesë të ushtrimit më aktiv të politikës sonë të jashtme”.

Prandaj, shtoi ministri Bushati dhe këto nisma, sado të vogla por domethënëse për rolin dhe peshën tonë gjithnjë e më në rritje në rajon, në ushtrimin e përgjegjësive që kanë lidhje me politikën e jashtme, duhet të shihen gjithnjë të lidhura me përparimin që bën vendi ynë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA